Amerikanët po shkojnë drejt qendrave të votimit për të votuar për presidentin e tyre të ardhshëm. Zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Donald Trump kanë nevojë për të paktën 270 vota elektorale për të fituar.
Shtetet e fushës së betejës, Arizona, Xhorxhia, Miçigani, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Wisconsin pritet të jenë thelbësore në rrugën drejt fitores.
Harris dhe Trump dolën barazim duke marrë secili nga tre vota në komunitetin e vogël të New Hampshire të Dixville Notch, i cili ka vetëm 6 banorë.
Sipas sondazheve, Trump dhe Harris janë në një garë mjaft të ngushtë. Harris ka mbrojtur të drejtat e abortit dhe është zotuar të ulë kostot e ushqimit dhe strehimit për familjet që punojnë, ndërsa Trump ka propozuar ulje taksash.
Amerikanët nuk po votojnë vetëm për presidentin, ata po zgjedhin gjithashtu edhe anëtarët e Kongresit të SHBA-së dhe në disa shtete po votohet edhe për të drejtat e abortit.
Kur pritet rezultati i zgjedhjeve?
Vendvotimet e para mbyllen në orën 20:00 dhe të fundit në 03:00 të së mërkurës. Në disa gara presidenciale, fituesi është shpallur vonë natën e zgjedhjeve, ose herët në mëngjesin e ardhshëm. Këtë herë, gara mjaft e ngushtë në shumë shtete mund të nënkuptojë që mediat do të duhet të presin më gjatë përpara se të parashikojnë se kush ka fituar.
Zëvendës-presidentja demokrate Kamala Harris dhe republikani Donald Trump, ish-president, kanë luftuar kokë e kokë prej javësh. Fitoret e ngushta mund të nënkuptojnë gjithashtu rinumërime.
Në shtetin kyç të Pensilvanisë, për shembull, do të kërkohet një rinumërim nëse ka një diferencë gjysmë përqindjeje midis votave të hedhura për fituesin dhe humbësin. Në vitin 2020, diferenca ishte pak më shumë se 1.1 pikë përqindjeje.
Sfidat ligjore janë gjithashtu të mundshme. Më shumë se 100 padi parazgjedhore janë ngritur tashmë nga republikanët.
/rtsh.al/