Amerika voton sot për zgjedhur presidentin e ardhshëm, teksa gara mes Kamal Harris dhe Donald Trump është mjaft e ngushtë. Analisti Neritan Alibali, tha në emisionin “3D” në RTSH se Trump tregoi problemet e thella të shtresave të ndryshme të shoqërisë amerikane.
Pavarësisht se kush fiton, Harris apo Trump, sipas Alibalit asnjëri prej tyre nuk do të mund të bashkojë popullin amerikan, pasi ndasia tha ai është shumë e madhe.
“Trump nuk u shfaq si një rrufe në qiell të pastër, u shfaq si zbulues i problemeve të thella të shtresave të ndryshme të shoqërisë amerikane që për vite janë margjinalizuar dhe shpërtheu me konceptet dhe përcaktimet e Trump. As ardhja e Trump, nëse fiton Trump, as fitorja e Harris nuk do ta paqtojë popullin amerikan sepse ndasia është shumë e madhe. Historia e SHBA ka treguar që herë pas here shoqëria amerikane ndodhet përballë forcave të tilla të përplasjes. Mendoj se e rëndësishme për fituesin është të menaxhojë fitoren. Shoqëria amerikane ka disa elementë të rëndësishëm që janë diskutuar gjatë kësaj fushate. Për shembull ekonomia dhe Trump e ka treguar që ai bëri reforma të tilla që e shëndetësoi ekonomikë amerikane. Po ashtu edhe politikat e jashtme, duke parë luftëra e luftëra, shoqëria amerikane është lodhur nga ai roli i Amerikës si xhandar ndërkombëtar, këto shfrytëzoi Trump. Harris ka një armë të fortë siç është aborti, por duket nga disa të dhëna që Trump ka marrë edhe pjesë mbështetëse të Harris, në popullsinë në ngjyrë, gratë”, tha Alibali.
/rtsh.al/