RTSH 24 Live

Ekonomi

Nis projekti për qëndrueshmërinë klimatike, Denaj: Sfida, standardizimi për tregun ndërkombëtar

23/05/2024

Nis projekti për qëndrueshmërinë klimatike, Denaj: Sfida, standardizimi për tregun ndërkombëtar

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ka qenë sot e pranishme në ceremoninë e nisjes së prezantimit të projektit më të ri të Bankës Botërore mbi ”Qëndrueshmërinë Klimatike dhe Zhvillimin e Bujqësisë” në Shqipëri,

Në fjalën e saj ministrja Denaj, u shpreh se, “me mbështetjen e BB-së do të tejkalohen këto sfida dhe do të ecet drejt një të ardhme të qëndrueshme edhe ndaj problemeve që gjithë bota përballet, ajo e ndryshimeve klimatike.

Ky projekt i nisur për tu zbatuar në Divjakë ishte i pranishëm edhe drejtori rajonal për Zhvillimin e Qëndrueshëm në Bankën Botërore Sameh Naguib Ëahba.

Gjatë fjalës të saj, ministrja Denaj tregoi se ky projekti përbëhet nga tre komponentë.

“Komponenti i parë, theksoi ajo, është një financim i drejtpërdrejt që shkon për infrastrukturën e kësaj zone me gati 27 milionë euro për modernizimin e skemës së ujitjes dhe kullimit. Segmentimi i lartë i tokës dhe fakti që shuma prej 1 ha është sipërfaqja për më shumë se 90 % të fermave shqiptare sot, tregon se kemi një sfidë për të përballuar kur vjen çështja e implementimit të infrastrukturës digjitale dhe innovative”, u shpreh ministrja.

Gjithashtu ajo tha se nuk janë problem tregjet, por sigurimi i produkteve bujqësore cilësore për të qenë konkurrues në tregje.

“Sot jemi krenarë që kemi arritur në 80 tregje elitare me gati 600 milionë dollarë eksporte vitin e kaluar dhe me një objektiv prej 1 miliard dollar për eksporte në 2030. Por mos të harrojmë se çfarë presioni përditë na ofron tregu i brendshëm dhe jo vetëm konsumatori shqiptar dhe ai turistik i vitit të kaluar, por ai turistik i këtij viti që do të tejkalojë 14 milionë turistë dhe do të shkojë drejt një rritje të prodhimit të brendshëm ushqimor me të paktën 2 miliardë dollarë. Atëherë si do të arrijmë ne një prodhim 2 miliardë dollar nëse do të jemi me ferma të vogla dhe me teknologji të prapambetur apo me një fuqi punëtore, e cila sa do të jetë e angazhuar sado të jetë e angazhuar në kohë nuk do arrij të nxjerri në kohë një produkt cilësor, e për të qenë konkurrues në treg”, u shpreh Denaj.

Një komponent i dytë shumë i rëndësishëm, shtoi Denaj, është edhe pjesa e përfshirjes së asaj që quhet ”Smart Agriculture”, për të ndihmuar sado pak fermerin të kuptoj se sa lehtë është të punosh me pjesën e infrastrukturës digjitale.

Projekti, vuri në dukje ministrja, do të përfshijë teknologji të avancuara dhe praktika inovative që do ndihmojnë në administrimin e tokave bujqësore nëpërmjet ujitjes dhe kullimit, sikurse sisteme të reja të monitorimit dhe kontrollit për cilësinë e tokës, nevojën për ujitje dhe përdorimin e produkteve plehëruese që do të lejojnë një reagim shumë të shpejtë ndaj kërkesave të bimës.

Denaj më tej tha se standardet ushqimore janë një sfidë e përditshme e të gjithë prodhuesve shqiptar për të arritur atë cilësi që kërkon tregu ndërkombëtar.

Ajo informoi se një pjesë shumë e rëndësishme e komponentit të dytë të investimit në këtë projekt të Bankës Botërore, prej 65 milionë euro, është ai i ngritjes së një sistemi të qëndrueshëm në atë që është sistemi i strukturës laboratorike, i cili nënkupton jo vetëm 6 pika të laboratorëve në pikat tona kryesore kufitare, por njëkohësisht modernizimm dhe mirëpajisje e laboratorëve për ISUV, AKVMB dhe AKU.

Ministrja shpjegoi se konponenti i tretë mbështetës është aksesi në tregje dhe formalizimi i kontratave dhe marrëdhënieve mes aktorëve.

“Do të ndërhyjmë nëpërmjet këtij projekti për të krijuar 5 tregje të reja në partneritet me bashkitë. Do të bëjmë të mundur daljen në treg edhe të prodhuesve të vegjël. Fermerët e Gjirokastrës, Vlorës, Shkodrës, Tiranës e Sarandës do të kenë mundësi të dalin në treg duke shmangur ndërmjetësit”, tha ajo.

Kështu, u shpreh Denaj, synojmë të mundësojmë rritjen e fitimit nga ana e prodhuesve dhe sigurimin e një produkti të standardizuar gjithëvjetor, jo vetëm për konsumatorin familjar, por njëkohësisht për hotelet, restorantet dhe shërbimin catering.

/rtsh.al/