RTSH 24 Live

Sociale

Ngrica dhe mjegull në Kukës - Thirrje drejtuesve të mjeteve për kujdes të shtuar dhe kufizim shpejtësie

4 orë para

Ngrica dhe mjegull në Kukës - Thirrje drejtuesve të mjeteve për kujdes të shtuar dhe kufizim shpejtësie

Fundi i muajit nëntor në verilindje është shoqëruar me mjegull të dendur dhe ngrica në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Aktualisht rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht. Firmat kontraktore janë në terren gjatë gjithë kohës për pastrimin dhe mbajtjen në funksion të gjitha rrugëve.

Për sa i përket rrugës së kombit kompania koncesionare ka marrë të gjitha masat për sezonin e dimrit duke hedhur kripë që ngricat mos të jenë problem apo burim aksidentit, për shkak se është rrugë në të cilën lëvizin mijëra automjete në ditë. Sipas informacione nga policia rrugore deri më tani nuk është shkaktuar ndonjë aksident si pasojë e mjegullës apo ngricave, por nga ana tjetër uniforma blu bën apel të gjithë drejtuesve të mjeteve për kujdes të shtuar dhe të rrisin fokusin.

Për sa i përket energjisë elektrike një pjesë e fshatrave të njësisë administrative Kolsh dhe Surroj, Bashkia Kukës, fshati Gjela dhe fshatrat e Njësisë Administrative Margegaj, Bashkia Tropojë janë pa energji elektrike.

Deri më tani nuk raportohen probleme emergjente për bashkinë Kukës, Has dhe Tropojë. Sipas meteorologëve Qarku Kukës ditët në vijim do të preket nga temperatura të ulëta dhe ngrica kryesisht në orët e para të mëngjesit dhe në mbrëmje.

Gazetar: Dashmir Shehu

/RTSH/