Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka shkarkuar ministrin e mbrojtjes, Yoav Gallant, duke thënë se mes tyre ekziston një “krizë besimi”.
Netanyahu tha në një deklaratë se besimi i tij tek Gallant ishte "gërryer" në muajt e fundit dhe Israel Katz do të zëvendësonte Gallant. Ky i fundit postoi në rrjetet sociale: “siguria e shtetit të Izraelit ishte dhe do të mbetet gjithmonë misioni i jetës sime”.
Shkarkimi tashmë ka nxitur protesta në rrugët e Tel Avivit dhe liderët e opozitës politike kanë bërë thirrje për demonstrata më të gjera publike.
Netanyahu dhe Gallant kanë pasur prej kohësh një marrëdhënie pune me mosmarrëveshje. Para fillimit të luftës në Gaza në tetor 2023, Netanyahu në mars të atij viti e kishte pushuar Gallantin për dallimet politike përpara se ta rikthente në detyrë pas protestave të mëdha publike.
Që kur Izraeli filloi ofensivën e tij ushtarake kundër Hamasit në Gaza, Gallant ka qenë një figurë kryesore e lartë e fushatës. Por të martën Netanyahu tha në një deklaratë: “Në mes të një lufte, më shumë se kurrë, kërkohet besim i plotë midis kryeministrit dhe ministrit të mbrojtjes. Fatkeqësisht, edhe pse në muajt e parë të fushatës kishte një besim të tillë dhe pati një punë shumë të frytshme, gjatë muajve të fundit ky besim u thye mes meje dhe ministrit të Mbrojtjes. U zbuluan boshllëqe të rëndësishme midis meje dhe Gallantit në menaxhimin e fushatës. Këto boshllëqe u shoqëruan me deklarata dhe veprime që bien ndesh me vendimet e qeverisë dhe vendimet e kabinetit”.
/rtsh.al/