Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi mbrëmjen e somte se sulmet me raketa të Hamasit që kanë lënë të paktën 200 njerëz të vdekur dhe qindra të tjerë të plagosur janë të paprecedenta. Sipas tij, ajo që ndodhi sot nuk është parë kurrë në Izrael.
“Ajo që ndodhi sot nuk është parë kurrë në Izrael. Ne do të marrim hak të fuqishëm për këtë ditë të zezë”, tha Netanyahu në një fjalim televiziv nga Zyra e Shtypit e Qeverisë së Izraelit, e cila u transmetua nga Reuters.
“Izraeli do të arrijë çdo vend ku Hamasi fshihet” tha Netanjahu, duke iu referuar grupit militant pas sulmeve.
“Unë u them njerëzve të Gazës që të largohen nga ato vende tani”, u shpreh Netanjahu.
Ai iu referua gjithashtu ushtarëve dhe civilëve izraelitë të marrë peng nga luftëtarët e Hamasit.
“Unë i them Hamasit, ju jeni përgjegjës për mirëqenien e robërve. Izraeli do të zgjidhë hesapet me këdo që i dëmton ata” tha kryeministri izraelit.
Zhvillimet e fundit të situatës në Izrael dhe Palestinë
Numri i të vdekurve: Autoritetet izraelite thonë se të paktën 250 njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 1.400 janë plagosur në Izrael. Ndërkohë, autoritetet palestineze thonë se të paktën 230 palestinezë kanë vdekur dhe më shumë se 1.600 janë plagosur.
Hamas sulmon përsëri: Sipas autoriteteve izraelite, një sërë raketash janë lëshuar nga grupet militante të Hamasit të shtunën në mbrëmje, që goditën drejtpërdrejt shumë vende brenda Izraelit, duke përfshirë edhe Tel Avivin. Në një postim në Telegram, krahu i armatosur i Hamasit - grupi militant i cilësuar si një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Izraeli - tha se kishte lëshuar 150 raketa shtesë në përgjigje të bombardimit të një kulle banimi në qytetin e Gazës.
Izraelitët e kapur: Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thonë se Hamasi ka marrë pengje dhe robër lufte që kur nisi sulmin e tij të befasishëm të shtunën në mëngjes. Grupi militant pretendon se ka dhjetëra robër. Në videot e vërtetuara nga CNN, luftëtarët e Hamasit duket se marrin robër qytetarët dhe ushtarët izraelitë afër Gazës.
Çfarë thotë Hamas: Anëtari i lartë i Hamasit, Saleh al-Arouri tha se grupi militant, i cili drejton Gazën, është “gati për skenarin më të keq, duke përfshirë një pushtim tokësor, i cili do të jetë më i miri për ne për të vendosur përfundimin e kësaj beteje”
Çfarë po thotë Netanjahu: Në një fjalim televiziv të së shtunës në mbrëmje të transmetuar nga Reuters, Netanyahu tha se: “Ajo që ndodhi sot nuk është parë kurrë në Izrael. Ne do të marrim hak për këtë ditë të zezë." Ai shtoi se “Izraeli do të arrijë në çdo vend ku Hamasi fshihet," dhe paralajmëroi banorët e Gazës që të largohen tani. Ai komentoi edhe izraelitët e kapur. "Unë i them Hamasit, ju jeni përgjegjës për mirëqenien e robërve. Izraeli do të zgjidhë hesapet me këdo që i dëmton ata," tha Netanyahu.
Reagimi ndërkombëtar: Presidenti Joe Biden tha në një fjalim të shtunën në mbrëmje se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Izraelin. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një mbledhje urgjente të dielën në orën 15:00 për të diskutuar mbi këtë situatë. Vende dhe liderë nga e gjithë bota reaguan ndaj sulmeve, ku shumë prej tyre dënuan sulmet dhe të tjerë duke bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje. Ndërkohë, linjat ajrore ose kanë anuluar ose reduktuar në mënyrë dramatike fluturimet për në Tel Aviv, dhe zyrat dhe ambasadat e huaja po reduktojnë udhëtimet dhe po këshillojnë kujdes për shtetasit e tyre të pranishëm në Izrael.
/rtsh.al/