RTSH 24 Live

Botë

Anëtari i lartë i Hamasit: Jemi gati për skenarin më të keq

07/10/2023

Anëtari i lartë i Hamasit: Jemi gati për skenarin më të keq

Anëtari i lartë i Hamasit, Saleh al-Arouri tha se grupi militant, i cili drejton Gazën, është gati “për të gjitha opsionet, duke përfshirë luftën dhe një përshkallëzim në të gjitha nivelet”.

Ne jemi gati për skenarin më të keq, duke përfshirë një pushtim tokësor, i cili do të jetë më i miri për ne për të vendosur përfundimin e kësaj beteje” tha al-Arouri për Al Jazeera.

Al-Arouri pohoi se ka “përpjekje intensive ndërkombëtare dhe rajonale” të vazhdueshme për t'i dhënë fund krizës, “por tani asgjë nuk do të jetë më e rëndësishme se beteja”.

Ndërkohë, Brigadat Izzedine al Qassam, krahu i armatosur i Hamasit, pretenduan se po luftojnë ende në 25 lokacione, transmeton CNN. Grupi tha gjithashtu në një deklaratë se ka përleshje të vazhdueshme në bazën ushtarake Re'im pranë pikës kufitare veriore të Gazës me Izraelin.

Ndërkaq, shërbimet izraelite të urgjencës kanë bërë të ditur se numri i të vdekurve nga sulmi me raketa i Hamasit ndaj qyteteve izrealite ka arritur në 100. Ndërsa numri i të plagosurve ka arritur në 1 mijë persona.

Hamasi sulmoi mëngjesin e sotëm Izraelin duke lëshuar raketa dhe hynë në këtë vend nga toka, deti dhe ajri duke përdorur paragliderë.

Ndërkohë në Gaza, Ministria palestineze e Shëndetësisë bëri të ditur se të paktën 198 palestinezë janë vrarë dhe 1610 persona janë plagosur.

Izraeli filloi sulmet ajrore në Gaza në përgjigje të sulmit, pasi Netanjahu i shpalli luftë Hamasit teksa u zotua se militantët e kësaj organizate do të “paguajnë një çmim të madh për atë që bënë këtë mëngjes.”

Njihuni me disa nga detajet kryesore të asaj çfarë ka ndodhur deri më tani:

Hamasi merr përgjegjësinë: Hamasi, lëvizja militante palestineze që drejton Gazën, ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Militantët hodhën më shumë se 2000 raketa nga Rripi i Gazës në Izrael, sipas ushtrisë izraelite, ndërsa luftëtarët e Hamasit hynë në Izraelin jugor nga toka, deti dhe ajri.

Hamasi thotë se ka kapur disa ushtarë izraelitë pranë kufirit, por ushtria izraelite nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë informacion.

Hamasi merr "pengje dhe robër lufte":  Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit ka bërë të ditur se Hamasi ka marrë “pengje dhe robër lufte”. “Ka pengje dhe robër lufte që ka marrë Hamasi. Vdekje ka edhe në mesin e ushtarëve të IDF. Nuk kemi ende një numër të saktë - jemi në luftë”, tha ai.

Përgjigja e ushtrisë izraelite: Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nisën sulme kundër një numri objektivash të Hamasit në Gaza dhe po thërrasin mijëra rezervistë. Forcat e IDF po luftonin në terren të shtunën në të paktën gjysmë duzinë vendesh, duke përfshirë disa fshatra, dy baza ushtarake dhe pika kufitare.

Çfarë thotë Netanyahu: Kryeministri izraelit është zotuar se Hamasi do të “paguajë një çmim që nuk e ka ditur kurrë” për sulmin.

“Qytetarë të Izraelit, ne jemi në luftë – jo në një operacion, as në raunde, por në luftë”, tha ai në një video-mesazh.

Skena në terren: Banorët e dy komuniteteve izraelite i thanë stacionit televiziv Channel 12 të vendit se sulmuesit nga Gaza po përpiqen të hyjnë në shtëpitë e tyre.

Ata janë lutur vazhdimisht në TV për ndihmë nga ushtria izraelite. Ndërkohë, fotot ofrojnë disa nga pamjet e para në terren, dhe IDF ka publikuar video të atyre që thotë se janë sulme ajrore ndaj objektivave të Hamasit në Gaza.

Alarm në të gjithë botën: Zyrtarët amerikanë e kanë parë me shqetësim sulmin në shkallë të gjerë. Presidenti amerikan Joe Biden ka telefonuar kryeministrin izraelit Netanjahun duke i shprehur mbështetjen ndërsa liderët në mbarë botën, siç ka ndodhur gjatë konflikteve të mëparshme, bëjnë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.

Brazili kërkon mbledhjen e Këshillit të SigurimitMinistria e Jashtme e Brazilit ka kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pas sulmit të forcave të Hamasit ndaj Izraelit. Brazili, i cili mori presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së këtë muaj, dënoi sulmet në një deklaratë publike dhe shprehu solidaritetin me popullin e Izraelit.

Antonio Guterres: Të veprojë diplomacia që të ndalet konflikti! Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka bërë të ditur se dënon në termat “më të ashpër sulmin e sotëm në mëngjes nga Hamasi kundër qyteteve izraelite pranë Rripit të Gazës dhe Izraelit qendror, duke përfshirë hedhjen e mijëra raketave drejt qendrave të popullsisë izraelite”.  Guterres kërkon të gjitha përpjekjet diplomatike për të shmangur vijimin e konfliktit.

Një datë domethënëse: Sulmi i befasishëm erdhi në 50-vjetorin e Luftës së vitit 1973, në të cilën shtetet arabe sulmuan Izraelin në Yom Kippur, ditën më të shenjtë të kalendarit hebre,  transmeton CNN.

/rtsh.al/