Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka bërë të ditur se dënon në termat “më të ashpër sulmin e sotëm në mëngjes nga Hamasi kundër qyteteve izraelite pranë Rripit të Gazës dhe Izraelit qendror, duke përfshirë hedhjen e mijëra raketave drejt qendrave të popullsisë izraelite”
Ai thekson më tej se është “i tmerruar nga raportet se civilët janë sulmuar dhe rrëmbyer nga shtëpitë e tyre.”
“Sulmet deri më tani kanë marrë jetë të shumta civile izraelite dhe kanë plagosur qindra qindra. Sekretari i Përgjithshëm është i tmerruar nga raportet se civilët janë sulmuar dhe rrëmbyer nga shtëpitë e tyre.
Sekretari i Përgjithshëm është thellësisht i shqetësuar për popullatën civile dhe kërkon përmbajtje maksimale. Civilët duhet të respektohen dhe mbrohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare në çdo kohë”, thuhet në njoftimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Sekretari i Përgjithshëm ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë personave të rrëmbyer.
Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm kërkon të gjitha përpjekjet diplomatike për të shmangur vijimin e konfliktit.
“Ai thekson se dhuna nuk mund të sigurojë zgjidhje për konfliktin dhe se vetëm përmes negociatave që çojnë në një zgjidhje me dy shtete mund të arrihet paqja”, thuhet në njoftimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
/rtsh.al/