Për herë të parë në tezgjah u ul kur ishte 12 vjeçe. Me ndihmën e nënës së saj realizoi punime të thjeshta, për të ardhur në ditët e sotme pas afro gjysmë shekulli punë, kur Natasha Biçaku ka hapur një punishte në Elbasan ku janë të punësuara edhe zonja të tjera të qytetit.
Gjithë procesi thotë se është i vështirë pasi kërkon shume vëmendje e përkushtim. Një qilim i thjeshtë do gati një muaj të përfundoj.
“Shumë punë e vështirë pasi do i kapësh fijet një për një me dorë, i gjithë trupi është në lëvizje”, tregon Biçaku.
Në gjithë punët e saj Natasha përpiqet që t`i qëndroj besnike modeleve të tradicionale, ndërsa thotë se punimet me motive te traditës së Kavajës dhe Kukësit janë me të vështirat.
“Kukësi është më i vështirë, se tani kanë dalë edhe modele më të vështira. Ne atëherë kishim modelistin që i bënte vizatimet”, shprehet ajo.
Në treg kërkesa për punimet artizanale është e lartë. Kryesisht janë turistët janë ata që i dëshirojnë më tepër. Natasha thotë se ndryshe nga e kaluara kur te rinjtë shfaqnin interes dhe tradita mësohej ndër breza e sotmja ofron një tjetër qasje.
Gazetar: A. Boriçi
/rtsh.al/