Në qendrën kulturore "Aleksandër Moisiu" në Durrës është përkujtuar 91-vjetori i lindjes së piktorit Sali Xhixha.
Në një bashkëbisedim mes brezash u diskutua krijimtaria që la ky personalitet në fushën e artit pamor.
"Xhixha jetoi një jetë të tërë duke iu përkushtuar peizazheve të qytetit të Durrësit, portreteve të ndryshme, të njohur e të panjohur," tha Alketa Tragaj, drejtore e qendrës kulturore.
Figura e Sali Xhixhës është e lidhur ngushtë me Durrësin, peizazhet e të cilit zgjojnë kujtime të qytetit të dikurshëm dhe marrin jetë në tablotë e tij.
"Xhixha arriti të bënte edhe kompozime, përveç portretit. Ne futeshim deri te ngjyra, te teknikat e penelatës, për shembull, pastat, ngjyrat, velaturat, për t'i dhënë më shumë efekte," tregoi piktori Bujar Lila.
"Xhixha për mua është një nga artistët më të spikatur të qytetit," tha skulptori Ivo Moja.
Më shumë se 50 prej punimeve të Sali Xhixhës janë ruajtur në fondet e Galerisë së Arteve, mes 1.140 punimeve të dhjetëra artistëve shqiptarë.
Krahas trashëgimisë kulturore, piktori ka mundur të krijojë një lidhje të pandërprerë jetësore me artin, pasi dy djemtë e tij, Ilir dhe Helidon Xhixha, përfaqësojnë dy nga emrat më të rëndësishëm të artit modern ndërkombëtar.
/rtsh.al/