RTSH 24 Live

Kulturë

Parku Arkeologjik i Lezhës, nis skanimi i zonës për t'i paraprirë gërmimeve

08/02/2025

Parku Arkeologjik i Lezhës, nis skanimi i zonës për t'i paraprirë gërmimeve

Në Lezhë, ekspertët e arkeologjisë dhe gjeologjisë, pas prezantimit të projektit disa javë më parë, kanë nisur punën në terren për skanimin e Parkut Arkeologjik të qytetit.

Studimi përmes matjeve topografike po kryhet në një sipërfaqe të gjerë në zonën përreth memorialit "Gjergj Kastrioti", kalasë mesjetare dhe Akrolisit.

Përmes këtij projekti synohet përcaktimi i zonave me potencial arkeologjik, për t’ju hapur rrugë gërmimeve që do të nxirrnin në dritë historinë e qytetit 2400-vjeçar.

"Të dimë çfarë ka ndodhur, për shembull, në shekullin III, kur fillon e popullohet agoraja e Lisit, çka ndodhur në shekullin I para dhe pas erës sonë, kur vendoset komuniteti romak, dhe ajo që është më e rëndësishme, mesjeta e hershme në një nga qendrat e qytetërimit arbëror," tha arkeologu Neritan Ceka.

"Me t'u përpunuar të dhënat do të dalë më qartë gjithë panorama e nëntokës, duke filluar nga sipërfaqja deri në thellësinë 4 metra," u shpreh gjeologu Altin Karriqi.

"Po përpiqemi që edhe për Akrolisin të japim një hartë paraprake, që është shumë larg, por i takon së ardhmes," tha pedagogu Edmond Hoxha.

Pas hartografimit dhe dokumentimit të zonave me potencial arkeologjik do të nisin ekspeditat. Lezha synohet të kthehet në epiqendrën e gërmimeve arkeologjike.

"Nëse vazhdojmë me këtë ritëm dhe intensiteti vijon të jetë kaq i lartë, Lezha mund të kthehet në një kryeqendër të gërmimeve arkeologjike dhe qyteti antik më i pasur me objekte në territorin e Republikës së Shqipërisë," deklaroi Paulin Zefi, përgjegjës për trashëgiminë kulturore të qytetit.

Hartografimi dhe dokumentimi i zonave me potencial arkeologjik në Lezhë është një projekt që po zbatohet nga Akademia e Shkencave me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe parashikohet të përmbyllet brenda muajit korrik të këtij viti.

/rtsh.al/