RTSH 24 Live

Politikë

Në burg për blerje votash, KQZ i jep mandatin Fredi Belerit dhe 11 kryebashkiakëve të tjerë

25/05/2023

Në burg për blerje votash, KQZ i jep mandatin Fredi Belerit dhe 11 kryebashkiakëve të tjerë

KQZ ka miratuar në mbledhjen e sotme shpërndarjen e mandateve për 12 këshilla vendorë dhe ka dhënë mandatet për 12 kryetarë bashkish, një nga të cilat është dhe kandidati fitues i arrestuar i koalicioni Bashkë Fitojmë, Fredi Beleri për Bashkinë e Himarës.

Në mbledhjen e kësaj të enjte (25 maj), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin për kryetarët e bashkisë, Finiq, Slenicë, Dropull, Kolonjë, Devoll, Mali, Dimal, Malësia e Madhe, Kavajë, Librazhd dhe Pogradec.

Kujtojmë se kandidati fitues në Himarë, mandati i të cilit u dha sot nga KQZ, u arrestuar dy ditë para zgjedhjeve vendore, të cilat i fitoi me një diferencë prej 19 votash me kandidatin socialist Jorgo Goro.

Beleri u arrestua më 12 maj, pasi në bashkëpunim me persona të tjerë, u kap duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.

Hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.

Në zgjedhjet e 14 majit Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpall fitues në Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros me një diferencë prej 19 votash, lajm që e priti në qelitë e paraburgimit në Vlorë, ku ndodhet me masën arrest me burg me vendim të gjykatës Vlorë. 

/rtsh.al/