Edhe përgjatë fundit të vitit 2022, vendi ynë ka vijuar të ketë një rënie të numrit të lindjeve, me vetëm 6.172 të lindur, duke shënuar një ulje me 19,6 %, krahasuar me fundin e vitit 2021.
Qytetet me numrin më të theksuar të rënieve të lindjes janë Gjirokastra, Korça dhe Berati.
Nga ana tjetër edhe numri i vdekjeve për fundin e vitit 2022, sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, me gjithësej 5.130, ka shënuar një rënie prej 19,8 %, krahasuar me fundin e vitit 2021.
Duke i krahasuar rezulton se shtesa natyrore e popullsisë në fundin e vitit 2022 tregon se janë 1.042 lindje më shumë se sa vdekje.
Në fundin e vitit 2022, gjashtë qarqe të vendit kanë shënuar shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në gjashtë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë ishte negative.
Qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 928 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 139 vdekje më shumë se sa lindje.
Lindjet
Të gjitha qarqet e vendit shënuan ulje të numrit të lindjeve, në krahasim me fundin e vitit 2021. Në 2022, qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 2.172 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 90 lindje.
Rënien më të vogël në përqindje të lindjeve gjatë tremujorit të tretë 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 e zë qarku i Beratit me 8,7 %, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Korçës me 28,7 %.
Vdekjet
Në fundin e vitit 2022, në 11 qarqe të vendit u shënuan ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 126 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1.244 vdekje.
Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë tremujorit të tretë 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 e zë qarku i Lezhës me rënie prej 29,7 %.
Metodologjia
Të dhënat për lindjet dhe vdekjet, në nivel kombëtar dhe qarku përbëjnë një hallkë të rëndësishme të demografisë së vendit.
Ato paraqesin të dhëna mbi ndryshimet në popullsi, të cilat kanë impakt në jetën ekonomike dhe sociale të vendit.
Këto të dhëna publikohen mbështetur në Programin e Statistikave Zyrtare 2022-2026.
Lindjet
Të dhënat e lindjeve sipas karakteristikave bazë demografike, sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, e cila dërgon në INSTAT vetëm numrin e lindjeve të banuesve në Shqipëri.
Konsiderohen të gjitha lindjet e banuesve në Shqipëri gjatë periudhës referencë, duke mos marrë parasysh lindjet e banuesve jashtë Shqipërisë (emigrantëve), edhe pse mund të regjistrohen në zyrat e gjendjes civile, pranë ish-vendbanimeve të tyre.
Regjistrimet e vona të lindjeve
Kryhet një rregullim i vogël i numrit të lindjeve që regjistrohen vonë për vitin aktual, në mënyrë që të përfshijmë të gjitha lindjet e ndodhura në periudhën referencë. Numri i lindjeve të regjistruara vonë nga viti i mëparshëm janë konsideruar si një proxy për regjistrimet e vona të vitit aktual, duke konsideruar supozimin (si rezultat edhe i analizave të vazhdueshme) që numri i regjistrimeve të vona të lindjeve nuk ndryshon shumë nga viti në vit.
Vdekjet
Të dhënat e vdekjeve, sipas karakteristikave bazë demografike sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, e cila dërgon në INSTAT vetëm numrin e vdekjeve të banuesve në Shqipëri Konsiderohen të gjitha vdekjet e banuesve në Shqipëri gjatë periudhës referencë, duke mos marrë parasysh vdekjet e banuesve jashtë Shqipërisë (emigrantëve), edhe pse mund të regjistrohen në zyrat e gjendjes civile pranë ish-vendbanimeve të tyre.
Regjistrimet e vona të vdekjeve
Bëhet një rregullim i vogël i numrit të vdekjeve që regjistrohen vonë për vitin aktual, në mënyrë që të përfshijmë të gjitha vdekjet e ndodhura në periudhën referencë.
Numri i vdekjeve të regjistruara vonë nga viti i mëparshëm janë konsideruar si një proxy për regjistrimet e vona të vitit aktual, duke konsideruar supozimin (si rezultat edhe i analizave të vazhdueshme) që numri i regjistrimeve të vona të vdekjeve nuk ndryshon shumë nga viti në vit.
/rtsh.al/