Gjeorgjia ka triumfuar në Junior Eurovision Song Contest 2024. Festivali që u zhvillua në Madrit dhe që u transmetua drejtpërdrejt në RTSH 1, solli në skenë 17 këngëtarë nga po kaq vende, ku midis tyre performoi edhe Nikol Çabeli nga Shqipëria.
Pas votimit të shteteve përkatëse dhe pas votimit të jurisë profesioniste dhe publikut, Gjeorgjia arriti të fitonte. Shqipëria u rendit në vendin e shtate me këngëtaren Nikol Çabeli e cila interpretoi e 3-ta në radhë me këngën “Vallëzoj”
“Ndihem shumë e lumtur që hipa në atë skenë kaq të madhe. Jam shumë e emocionuar”, u shpreh Nikol Çabeli.
“Unë kam qenë futbollist profesionist dhe i kam ndjerë emocionet kur kam garuar vetë, por këtë herë si prind, emocionet kanë qenë të dyfishta”, tha babai i saj, Grigor Çabeli.
“Jemi shumë të kënaqur. E rëndësishme është që Nikol ka shkëlqyer dhe ka bërë për vetë të gjithë fëmijët e Eurovisionit”, u shpreh Eriona Rushiti, tekstshkruesja e këngës “Vallëzoj”.
Kompeticioni më i rëndësishëm i këngës për fëmijë, Junior Eurovision Song Contest 2024 ka mirëpritur 17 artistët e vegjël, të cilët kane dhuruar e kane marrin emocione të mëdha, pasi për ta është hera e parë qe interpretuan përpara një publiku dhe skene me një tjetër dimension nga çfarë kanë performuar më parë. Shqipëria u përfaqësua nga artistja Nikol Çabeli, me këngën "Vallëzoj", një produksion muzikor që i dedikohet dashurisë për natyrën, planetin dhe lulet. Nikol Çabeli u shpall fituese e Junior Fest Albania 2024.
/RTSH/