RTSH 24 Live

Kulturë

Drama “15 ditë prilli“ - bazuar në romanin e Anisa Markarian, së shpejti në teatrin e Durrësit

16/11/2024

Drama “15 ditë prilli“ - bazuar në romanin e Anisa Markarian, së shpejti në teatrin e Durrësit

“15 ditë prilli”, është titulli i dramës së re që do të vijë premierë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Kjo pjesë vjen me regji të Driada Dervishit bazohet në romanin me të njëjtin titull me autore Anisa Markarian.  Regjisorja Driada Dervishi thotë se ky është rasti i parë, në historinë 71-vjeçare të teatrit,  që po dramatizohet një roman i një autoreje shqiptare.

 “Nëse do të bëhemi interesant për të rikthyer vëmendjen nga teatri do të jetë nëpërmjet historive që flasin shqip dhe tregojnë një copëz të këtij vendi pa diskutim të parë dhe të njësuar me element bashkëkohor të teatrit post modern”, u shpreh regjisorja Driada Dervishi.

Duke folur për librin, autorja Markarian tha se përmban trysninë dramatike që në zanafillën e tij, trysnia 15-ditëshe e një regjimi totalitar dhe pasiguria e një populli se çfarë e pret pas kësaj.

“Është kjo trysnia e 15 ditëve të fundit të një regjimi, do të ndesheni me personazhe që do të ri gjejnë veten ose të krijojnë veten me një personalitet”, u shpreh autorja Anisa Markarian.

Aktoria Yllka Mujo vlerësoi lart veprën mbi të cilën është bazuar drama duke shtuar se me trupën e teatrit në Durrës ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer.

“Ndonjëherë këto situata që për ne kanë qenë tragjike sot mund të kthehen në situata komike, kanë kaluar kaq shumë vite dhe mënyra se si i shikon ka ndryshuar “, u shpreh aktorja Yllka Mujo.

Drama është konceptuar pa role kryesore dhe në të do të interpretojnë aktorë të njohur të skenës shqiptare si dhe anëtarë të trupës  së teatrit “Aleksandër Moisiu”.

/RTSH/