Presidenti Joe Biden ka autorizuar Ukrainën të përdorë një armë të fuqishme amerikane me rreze të gjatë për sulme të kufizuara brenda Rusisë në përgjigje të vendosjes së mijëra trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar Moskë në luftën ndaj Ukrainës.
Referuar dy zyrtarëve të lartë amerikanë, mediat amerikane bëjnë të ditur se lehtësimi i kufizimeve për lejimin e Kievit për të përdorur Sistemin Raketor Taktik të Ushtrisë, ose ATACMS, për të goditur objektivat brenda Rusisë është një ndryshim i rëndësishëm në politikën e SHBA-së dhe vjen pasi rreth 10 mijë trupa elitë të Koresë së Veriut janë dërguar në Kursk, një rajon i Rusisë përgjatë kufirit verior të Ukrainës, për të ndihmuar forcat e Moskës të rimarrin territorin e fituar nga Ukraina.
Administrata Biden druhet se Koreja së Veriut mund të dërgojë edhe më shumë forca drejt Rusisë për të luftuar në Ukrainë.
Vendimi i Bidenit, i paraprin rikthimit në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili ka sinjalizuar se synon t'i japë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, megjithëse nuk ka ofruar detaje se si do ta bëjë këtë.
Një prej zyrtarëve amerikanë tha se masa synon pjesërisht të pengojë Phenianin nga dërgimi i më shumë trupave.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un duhet të kuptojë se vendosja fillestare ka qenë një gabim “i kushtueshëm”, tha zyrtari, i cili si të tjerët të intervistuar për këtë histori foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Përpjekja fillestare e Ukrainës pritet të fokusohet rreth rajonit të Kurskut, megjithëse mund të zgjerohet. Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni nuk kanë pranuar të japin komente mbi këtë çështje. Po ashtu edhe zyra presidenciale e Ukrainës.
Deri kohët e fundit, administrata Biden kundërshtoi me vendosmëri që Ukraina të gjuante ATACMS në territorin rus, duke paralajmëruar se masa mund të çonte në përshkallëzim nga Kremlini që ishte jashtë proporcionit me përfitimet e tij në fushën e betejës.
Ndërkaq, presidenti rus Vladimir Putin "po teston Perëndimin, NATO-n dhe madje edhe Korenë e Jugut, duke vëzhguar përgjigjen e tyre ndaj forcave të Koresë së Veriut që i bashkohen fushatës së tij", tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në rrjetin social, ‘X’ në fund të muajit të kaluar.
“Nëse përgjigja është e dobët, duhet të presim që numri i ushtarëve të huaj në tokën tonë të rritet”, shtoi ai.
/rtsh.al/