RTSH 24 Live

Sociale

Ndryshimet në ligj, "Urdhri i Mjekëve": Nga ent publik jemi kthyer në shtojcë të Ministrisë

09/08/2024

Ndryshimet në ligj, "Urdhri i Mjekëve": Nga ent publik jemi kthyer në shtojcë të Ministrisë

"Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë", një strukturë publike që mbron interesat e punonjësve në sistemin shëndetësor, kritikoi të premten ndryshimet, kufizimet dhe penalitetet në ligjin e ri për entin.

Ligji u publikua në fletoren zyrtare më 7 gusht, por sipas Urdhrit, kalimi në parlament u krye pa një konsultim paraprak dhe pa iu nënshtruar analizave të organizmit.

"Urdhri i Mjekëve" pritet të thërrasë Asamblenë Kombëtare për të shprehur zyrtarisht qëndrimin për ndryshimet "thelbësore", të cilat "e transformojnë tërësisht atë".

"Në emblemën e UMSH është vendosur një libër dhe një peshore. Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë edukon anëtarët (Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, standardet profesionale, edukimi i vazhdueshëm mjekësor, etj. konfirmojnë karakterin edukativ të tij). Peshorja shpreh ekuilibrin midis interesave të anëtarësisë dhe harmonizimin e tyre në interes të publikut (dëshmuar me gjykimin disiplinor profesional)," theksoi Urdhri.

Në ligjin e ri parashikohen penalitete deri në heqjen e licensës për ushtrimin e profesionit në rast se shkelen disa nga dispozitat që kanë të bëjnë me punësimin në shtet dhe privat, orientimi i pacientit për t'iu drejtuar klinikave jopublike, si edhe i jepet më shumë autoritet titullarit të institucionit shëndetësor.

Për personelin e mjekëve të punësuar në publik dhe privat gjithashtu do të ketë një regjistër të aksesueshëm nga publiku.

"Me ndryshimet e reja ligjore, UMSH nga edukues kthehet në ndëshkues, nga ent publik jobuxhetor i pavarur profesional kthehet në një shtojcë apo departament të Ministrisë së linjës. Miratimi i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore bëhet nga Ministria e linjës, përbërja, organizimi dhe funksionimi i komisionit të disiplinës dhe komisionit të apelimit rregullohet me vendim të këshillit të ministrave. Siç shihet, pavarësia humbet plotësisht, nuk ka asnjë element të vetërregullimit apo të vetëqeverisjes profesionale siç i kemi pasur në përputhje me ligjin dhe tiparet e homologëve ndërkombëtar. Pa përmendur klauzola të tjera në ligjin e ndryshuar, por që në fakt kanë të bëjnë me veprimtarinë e institucioneve shëndetësore publike (kontrolli i sistemit të referimit, kontratat e punës etj.) shihet qartë se ndryshimet ligjore bien ndesh me rolin, misionin dhe funksionin e UMSH-së. Këto ndryshime dhe shtesa prishin përputhshmërinë me homologët tanë ndërkombëtar.

Duke theksuar për mosdakordësinë tonë të plotë me këto ndryshime ligjore, kërkojmë nga të gjithë organet ligjvënëse dhe ligjzbatuese (Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria, Presidenti i Republikës së Shqipërisë edhe si mjek) të rishikohet ky akt normativ dhe përfaqësuesit tanë të jenë pjesë e konsultimeve për të bërë një ligj të ri për UMSH në kuadrin e përshtatjes së legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Evropian dhe gjithmonë në përputhje me përvojën tonë 30 vjeçare dhe modelet e homologëve ndërkombëtar për të vazhduar si pjesë e denjë e organizatave të tyre," thuhet në deklaratën për shtyp të Urdhrit të Mjekëve.

/rtsh.al/