Jo rrallë herë pacientët në gjendje të rëndë në shërbimin e reanimacionit luftojnë me kohën deri në marrjen e një përgjigje të saktë nga laboratori për llojin e bakterit apo virusit nga të cilët ata janë prekur, me qëllim gjetjen e antibiotikut të duhur që do t’i luftojë ato. Metoda tradicionale e deritanishme e çon këtë përgjigje nga 24 orë deri në 72 orë duke e lënë pacientin në pritje dhe të rrezikuar për jetën. Por, duke filluar nga viti I ardhshëm në spitalin universitar rajonal “Shefqet Ndroqi” do të futen metodat e reja të Biologjisë molekulare siç është testimi sindormik , që do të bëjë të mundur shkurtimin e kësaj kohe në vetëm dy orë për këtë kategori pacientësh.
“Testimi sidnormik është kur ne tesotjmë një mostër klinike , siç është psh sputum tek një pacient me pneumoni, për të parë nëse në këtë mostër ka AND të këtyre patogjenëve. Nëse testet konvencionale bazohen në kulturë, pra ne I mbjellim në terren me ushqyes, presim sa të rriten, I testojmë për ndjeshmërinë e antibiotikëve, me testin sindromik, që janë të bazuar në PCR të automatizuara janë teste Real Time PCR që dedektojnë ADN-në e baktereve të ndryshme. Ka panele të ndryshme , si psh paneli respirator që përfshin agjentët më të hasur në sëmundjet respiratore dhe në këtë ekzaminim brënda pak orësh ti merr informacionin se cili nga këto 24 patogjen janë të pranishëm në këtë mostër”, u shpreh Silva Tafaj, Shefe e laboratorit të referencës për tuberkulozin në SURSHN.
Shefja e departamentit të Mikrobiologjisë dhe laboratorit kombëtar të referencës për Tuberkulozin në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” thotë ekskluzivisht për RTSH-në, se për herë të parë falë një grupimi mes spitaleve nga tre vende të BE , Sanatoriumi do të realizojë “çipin” që brenda disa minutave deri në dy orë do t’u japë mjekëve përgjigjen e antibiotikut të duhur për të luftuar sëmundjen
“Në spitalin tonë kemi filluar një projekt të financuar nga Komuniteti Evropian që quhet “DRAIGON“ ku bashkë me spitale prestigjioze evropiane siç është Qendra mjekësore universitare në Groningen të Holandës, spitali ortopedik “Speising “ në Vjenë të Austrisë dhe Universiteti “Johns Hopkins“ në SHBA , pra një konsorcium partnerësh shumë të rëndësishëm, do të bëhet e mundur të shpiket një “çip“, pra një pajisje i cili do të mundësojë sekuencimin e ADN nga gjaku i pacientëve në gjendje septike, të shtruar në reanimacionin e sanatoriumit dhe brenda më pak se dy orë , do të bëhet e mundur që nga kjo ADN e sekuencusr të rekomandohet antibiotiku i duhur edhe falë ndihmës së inteligjencës artificiale. Pra do të jetë një çip që ka të inkorporuar edhe sekeuncimin gjenetik edhe inteligjencën artificiale“, tha Tafaj.
Projekti DRAIGON i cili ka nisur në janar të këtij viti mbështetet me fondet e BE dhe pritet të jetë aktiv brenda vitit të ardhshëm . Buxheti për implementimin e këtij projekti në spitalin Shefqet Ndroqi nga faza e studimit deri në atë të aktivizimit është 442 500 euro.
Gazetare: Sonila Mlloja
/RTSH/