RTSH 24 Live

Ekonomi

Ndërtesat publike, përcaktohen kriteret për rritjen e eficiencës së energjisë 

17/07/2024

Ndërtesat publike, përcaktohen kriteret për rritjen e eficiencës së energjisë 

Qeveria shqiptare miratoi të mërkurën vendimin për përcaktimin e sasisë në përqindje të sipërfaqes së stokut të ndërtesave publike për t’u rinovuar çdo vit, kundrejt sipërfaqes totale të stokut të ndërtesave publike.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, sektori publik ngarkohet me zbatimin e objektivit të ligjit “Për eficiencën e energjisë”.

Ky vendim shtrin efektet e tij për të gjitha ndërtesat në pronësi ose në përdorim nga organet e qeverisjes qendrore, organet e qeverisjes vendore dhe institucionet e varësisë.

Rinovimet që do të realizohen prej institucioneve, garantojnë të paktën zbatimin e kërkesave minimale të performancës së energjisë së ndërtesave.

Vendimi parashikon se ndërtesat me një performancë të ulët energjetike dhe që shfrytëzohen ose strehojnë fëmijë të sëmurë ose persona të moshuar, kanë përparësi në realizimin e rinovimit edhe kur nuk plotësohet kriteri i kostos optimale.

Investimi realizohet vetëm nëse analiza e kosto-përfitimit rezulton pozitive, përveç rasteve kur kemi të bëjmë me ndërtesa që shfrytëzohen nga të sëmurët, të moshuarit mbi 65 vjeç dhe fëmijët nën 18 vjeç.

Përjashtohen nga lista e miratuar e ndërtesave, që do t’i nënshtrohen rinovimit, të gjitha ndërtesat publike të rinovuara ose të ndërtuara pas vitit 2023.


/ rtsh.al /