Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se mbyllja e tranzitit të gazit rus përmes territorit ukrainas është një nga humbjet më të kushtueshme të Moskës.
Sipas zëdhënësit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, Ukraina ndërpreu tranzitin e gazit natyror rus përmes territorit të saj më 1 janar dhe se kjo i ka kushtuar shtrenjtë Moskës.
Kievi ka paralajmëruar vazhdimisht se nuk do ta zgjasë marrëveshjen që skadoi në fund të vitit 2024, sepse ndryshe do të financonte luftën e Rusisë.
Kirby vuri në dukje se masa e Ukrainës do t'i privojë Rusisë rreth 6.5 miliardë dollarë të ardhura vjetore nga shitja e gazit në Evropë.
Gjithashtu, zëdhënësi shtoi se SHBA-të po përpiqen ta bëjnë Rusinë të pësojë humbje përmes sanksioneve dhe kufizimeve të eksportit.
Ndërkohë, Uashingtoni po përpiqet të rrisë furnizimet me energji në Evropë, veçanërisht gazin natyror të lëngshëm (LNG). Sipas Kirby, aktualisht, 50% e importeve evropiane të LNG vijnë nga SHBA.
Zëdhënësi përmendi se 25 vjet më parë, kur presidenti rus Vladimir Putin mori detyrën, më shumë se 130 miliardë metra kub gaz u transportuan në Evropë përmes Ukrainës dhe sot kjo shifër është zero.
Pas përfundimit të transportit të gazit rus nga Ukraina përmes territorit të saj, çmimet e gazit në Evropë u rritën me 4.3% në pothuajse 51 euro për megavat-orë. Kjo rritje është më e larta që nga tetori 2023 dhe vjen përpara parashikimit të temperaturave të ngrira në pjesën më të madhe të Evropës.
/rtsh.al/