RTSH 24 Live

Botë

Zelensky: Ardhja e Trump në Shtëpinë e Bardhë hap një kapitull të ri për evropianët

10 orë para

Zelensky: Ardhja e Trump në Shtëpinë e Bardhë hap një kapitull të ri për evropianët

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të enjten (9 janar) se një vendosje e mundshme e forcave ushtarake perëndimore në Ukrainë do të kontribuonte në "presionin e Rusisë për paqe".

Sakaq Zelensky e sheh si një mundësi të mirë ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

"Zlokimi i forcave ushtarake aleate është një nga mjetet më të mira për të bërë presion ndaj Rusisë drejt paqes. Le të jemi më praktikë në zbatimin e tij. Ardhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar hap një ‘kapitull të ri’ për evropianët, të cilët duhet të ‘bashkëpunojnë edhe më shumë’”, tha presidenti ukrainas.

Volodymyr Zelensky po merr pjesë në një konferencë të aleatëve të Ukrainës në Ramstein, Gjermani, ndërsa forcat ukrainase po tërhiqen në frontin lindor dhe ka frikë për një ndryshim në qëndrimin e Uashingtonit nën një presidencë Trump.

Me rastin e konferencës Ramstein, sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin njoftoi një ndihmë të re ushtarake për Kievin në shumën prej 500 milionë dollarësh duke specifikuar se ajo përfshin "raketa shtesë për mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe municione shtesë, kryesisht për sistemet ajër-tokë dhe pajisje të tjera për të mbështetur F-16 të Ukrainës”.

Presidenti ukrainas u bëri thirrje aleatëve të Kievit që "të marrin pjesë edhe më aktivisht" në zhvillimin e "një arsenal të dronëve" për Ukrainën, të cilët kanë rezultuar jetik në këtë luftë, ndërsa tha se lejimi i prodhimit të sistemeve anti-ajrore amerikane në Ukrainë mund të jetë një pjesë e rëndësishme e garancive të sigurisë për Ukrainën.

/rtsh.al/