Ligjvënësit libanezë kanë zgjedhur në postin e presidentit shefin e ushtrisë Joseph Aoun duke mbushur vakancën me një gjeneral që gëzon miratimin e SHBA-së dhe duke treguar ndikimin e zvogëluar të grupit terrorist Hezbollah të mbështetur nga Irani pas luftës së tij shkatërruese me Izraelin.
Libani ka qenë pa president për dy vite dhe përpjekjet e shumta të mëparshme për të zgjedhur një të tillë kishin dështuar.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa'ar ka përgëzuar Libanin për zgjedhjen e Joseph Aoun si president pas më shumë se dy vitesh në të cilat posti ishte i paplotësuar në mes të një krize politike.
Në një postim në X, Sa'ar shpreh shpresën e tij "që zgjedhjet do të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit, një të ardhme më të mirë për Libanin dhe banorët e tij dhe fqinjësinë e mirë".
Zgjedhja e Aoun u shty nga SHBA, Arabia Saudite dhe Franca dhe shihet si një parakusht për tërheqjen e plotë të trupave IDF nga Libani jugor.
Gjithashtu, ambasadorja e SHBA në Liban, Lisa Johnson thotë se është ‘shumë e lumtur’ për zgjedhjen e komandantit të ushtrisë libaneze Joseph Aoun si president, duke i dhënë fund një vakumi më shumë se dy vjeçar në këtë post.
/rtsh.al/