“Groenlanda duhet të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara.”
Kështu u shpreh presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump (lex. Tramp) pak kohë para se të hyjë zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë.
Groenlanda është ishulli më i madh në botë dhe shtëpia e më shumë se 56 mijë banorëve. Një ish-koloni daneze dhe tani një territor autonom i Danimarkës, ajo ndodhet në një pozicion te rëndësishëm gjeopolitik, mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.
Kryeqyteti i saj nuk është më afër Nju-Jorkut sesa kryeqyteti i Danimarkës, Kopenhageni.
Groenlanda është në pjesën më të madhe e mbuluar nga akulli, por është e pasur në lëndë të para, ku përfshihet nafta, gazi si dhe metalet e rralla që mund të përdoren për makinat elektrike.
Sipas studiuesve, Groenlanda shihet prej kohësh si kyçe për sigurinë e SHBA-së, veçanërisht për të zmbrapsur një sulm të mundshëm nga Rusia.
Deri tani Groenlanda ka hequr dorë nga një pavarësi e plotë, por që nga viti 2009 ishulli ka të drejtën të mbajë referendum për shpalljen e saj.
Në pranverë në Groenlandë zhvillohen zgjedhjet e rregullta parlamentare dhe pavarësia nga Danimarka është një temë e rëndësishme e fushatë elektorale.
Nëse merret një vendim i tillë, ishulli më i madh në botë mund të vendosë për një afrim me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Tramp i premton Groenlandës mbrojtje.
Sipas një traktati mbrojtjeje të vitit 1951, SHBA-ja mori një bazë ajrore në Groenlandën Veriperëndimore, që është pika më veriore e forcave të armatosura amerikane e pajisur me një sistem paralajmërimi antiraketor.
Me shkrirjen e shtresave të akullit dhe daljen në pah të pasurive nëntokësore edhe Rusia dhe Kina gjithnjë e më shumë po përpiqen të ngrenë pretendimet e tyre ndaj ishullit.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/