RTSH 24 Live

Europë

Aksidenti me 45 viktima në autobus, gjykata bullgare gjen pjesërisht fajtore Agjencinë e Rrugëve

16 orë para

Aksidenti me 45 viktima në autobus, gjykata bullgare gjen pjesërisht fajtore Agjencinë e Rrugëve

Agjencia e Infrastrukturës Rrugore mban fajin e pjesshëm për aksidentin vdekjeprurës të autobusit në drejtim të Shkupit në autostradën Struma në vitin 2021, vendos

Gjykata e Qarkut në Pernik të Bullgarisë e ka konsideruar pjesërisht përgjegjëse Agjencinë e Infrastrukturës Rrugore për aksidentin vdekjeprurës të autobusit në autostradën Struma në vitin 2021, që ishte nisur drejt Shkupit.

Nga aksidenti i rëndë mbetën të vdekur 45  persona dhe shtatë të tjerë u plagosën.

Autobusi, i cili ishte në pronësi të kompanisë ‘Besa Trans’, e regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut ishte i katërti dhe i fundit nga grupi i autobusëve që kryenin udhëtime.

Hetimi i aksidentit iu ngarkua Shërbimit Hetimor Kombëtar ndërsa hetimet fillestare e konsideruan gabim njerëzor, pasi drejtuesi i mjetit po drejtonte mjetin me shpejtësi tej normave të lejuara.

Sipas gjykatës, RIA është përgjegjëse për 10% të dëmeve të pësuara dhe duhet të urdhërohet të dëmshpërblejë secilin prej të dëmtuarve në këtë aksident.

Në vendimin e gjykatës thuhet gjithashtu se shoferi po e drejtonte automjetin me shpejtësi 106 kilometra në orë, kur shpejtësia maksimale në këtë zonë ishte 120 kilometra.

Sipas vendimit të gjykatës, struktura e rrugës nuk përputhej me karakteristikat gjeometrike të terrenit.

“Pjerrësia e projektuar e tërthortë e kthesës korrespondon me një shpejtësi prej 90 kilometrash në orë, por nuk ka asnjë shenjë rrugore B26/90 kilometra të vendosur në vendet e nevojshme për të kufizuar shpejtësinë” shtoi gjykata.

Aksidenti ndodhi pak pas orës 2:00 të mëngjesit të datës 23 nëntor 2021 në kilometrin e 31 km të autostradës Struma, afër fshatit Bosnek (Bullgaria Perëndimore).

Autobusi, me 52 turistë që ktheheshin në Shkup nga një udhëtim në Stamboll, u përplas në shinat e rojës dhe mori flakë, duke u djegur plotësisht.

Një ditë më pas u shpall ditë zie kombëtare në Bullgari në kujtim të viktimave në aksidentin vdekjeprurës të autobusit dhe nëntë viktimave të zjarrit në një shtëpi pleqsh në Bullgarinë verilindore. Flamujt kombëtarë të të gjitha institucioneve shtetërore u valëvitën në gjysmështizë.

/rtsh.al/