Komandanti Suprem i Forcave të NATO-s për Evropën, gjenerali Kristofer Kavoli njoftoi në konferencën për shtyp të Komitetit Ushtarak të Aleancës në Bruksel nisjen e stërvitjes “Stedfast Difender 2024”. Ushtrimi ushtarak nis javën e ardhshme dhe zgjat deri në muajin maj. “Kjo do të jetë stërvitja më e madhe e NATO-s në dekada, me pjesëmarrjen e rreth 90 mijë forcave nga 31 vendet aleate dhe partneri ynë Suedia” – u shpreh gjenerali amerikan. Ai theksoi se Aleanca do të demonstrojë aftësinë e saj për të përforcuar zonën euro-atlantike nëpërmjet një lëvizjeje transatlantike të trupave.
Gjenerali Kavoli vuri në dukje se përforcimi do të ndodhte gjatë një skenari të simuluar konflikti kundër një kundërshtari të afërt. Ai nënvizoi se stërvitja do të shfaqte unitetin, forcën dhe vendosmërinë e vendeve të NATO-s për të mbrojtur njëri-tjetrin, vlerat e tyre dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Ndërsa kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer vlerësoi gjatë të njëjtit takim se në Ukrainë po zhvillohen luftime intensive, por sipas tij sulmet më të fundit të Rusisë janë shkatërruese, por nuk janë ushtarakisht efektive. “Në të njëjtën kohë, - u shpreh ai, - NATO sheh suksese të konsiderueshme ushtarake nga pala ukrainase.”
/RTSH/