RTSH 24 Live

Lindja e Mesme

Armëpushimi Izrael-Hezbollah, civilët libanezë fillojnë të kthehen në shtëpi

27/11/2024

Armëpushimi Izrael-Hezbollah, civilët libanezë fillojnë të kthehen në shtëpi

Një armëpushim midis Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollah duket se po mbahet, ndërsa banorët u kthyen drejt Libanit jugor, pavarësisht paralajmërimeve nga ushtria izraelite dhe libaneze se ata duhet të qëndrojnë larg zonave të caktuara.

Nëse qëndron, armëpushimi do t'i jepte fund luftimeve gati 14 mujore midis Izraelit dhe Hezbollahut .

Në mesin e libanezëve që shpresojnë të kthehen në shtëpi pas një armëpushimi midis Izraelit dhe Hezbollahut janë edhe mijëra që ishin larguar nga lufta në Siri.

Familjet me sende të mbushura me nxitim të mërkurën kaluan nën shiun e madh nga Siria në Libanin lindor. Rruga, e dëmtuar rëndë nga sulmet ajrore izraelite, është në riparim.

Mariam Mawla, nga Bazouria në Libanin jugor, ishte e emocionuar që po kthehej në shtëpi pas dy muajsh në kryeqytetin sirian Damask. Ndërsa priste në trafik në vendkalim, ajo tha për Associated Press se shpresonte ta gjente shtëpinë e saj të paprekur.

“Kam dëgjuar se mund të ketë ndonjë dëm, por sido që të jetë, falënderojmë Zotin që po kthehemi në shtëpi,” tha Mawla.

Ushtria libaneze ka filluar të përforcojë praninë e saj në jug të vendit, tha ajo në një deklaratë të mërkurën, pas zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Libani ndan kufirin e tij jugor me Izraelin. Marrëveshja e re e armëpushimit parashikon që Izraeli duhet të tërheqë të gjitha forcat e tij nga Libani jugor dhe se të vetmet grupe të armatosura të pranishme në jug të lumit Litani të rajonit duhet të jenë ushtria libaneze dhe forcat paqeruajtëse të OKB-së.

“Ushtria ka filluar të përforcojë dislokimin e saj në sektorin e Litanit Jugor dhe të zgjerojë autoritetin e shtetit në koordinim me Forcën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL)”, thuhet në deklaratën e Komandës së Ushtrisë.

Reagimi amerikan

Pas disa ditësh të sulmeve izraelite në Bejrut dhe qytete të tjera të Libanit dhe raketave të hedhura nga grupi militant Hezbollah në Izrael, palët arritën të martën një marrëveshje armëpushimi, e cila u përshëndet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

“Duke filluar që nga ora 4 e mëngjesit, luftimet përgjatë kufirit libanezo-izraelit do të ndalen. Kjo marrëveshje është e hartuar që të përbëjë një pushim të përhershëm të luftimeve”, deklaroi ai.

Deklarata e Presidentit Biden u bë pak pas fjalimit të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë të cilit ai njoftoi se ka rënë dakord me armëpushimin pas një viti luftimesh, të filluara nga Hezbollahu për shkak të luftës në Gazë, ku Izraeli po lufton kundër Hamasit, një grup tjetër militant të mbështetur nga Irani.

“Me mirëkuptimin e plotë të Shteteve të Bashkuara, ne do të vazhdojmë të kemi lirinë e plotë për veprim ushtarak. Nëse Hezbollahu shkel marrëveshjen dhe përpiqet të armatoset, ne do ta sulmojmë. Nëse përpiqet të rindërtojë infrastrukturën terroriste pranë kufirit, ne do ta sulmojmë”, deklaroi ai.

Netanyahu tha se Izraelit i duhet ta përqëndrojë vëmendjen në operacionet në Gazë, pas sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit në tetorin e vitit të kaluar, dhe tek kërcënimi që vjen nga Irani.

Armëpushimi u mirëprit edhe nga udhëheqësit e tjerë botërorë dhe vëmendja u rikthye tek lufta në Gazë, e cila mendohet se ka shkaktuar vdekjen e 44 mijë palestinezëve.

Presidenti Biden u zotua të martën se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë përpjekje për arritjen e një armëpushimi në Gazë.

“Gjatë ditëve në vijim do të bëjnë edhe një përpjekje krahas Turqisë, Egjiptit, Katarit, Izraelit dhe aktorëve të tjerë në rajon, për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gazë", tha ai.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan i bëri jehonë kësaj deklarate në televizionit amerikan MSNBC të mërkurën duke thënë se këto përpjekje fillojnë që nga dita e sotme.

Ministri i Jashtëm i Iranit Abbas Araghchi përshëndeti marrëveshjen e armëpushimit dhe tha se shpreson që ajo t’i hapë rrugë një armëpushimi të përhershëm.

“Varet nga sjellja e Izraelit. Ne sigurisht rezervojmë të drejtën për të reaguar ndaj agresionit të Izraelit së fundmi, por ne i konsiderojmë të gjitha zhvillimet në rajon”, deklaroi ai.

Në bazë të marrëveshjes së armëpushimit, forcat izraelite do të tërhiqen nga pjesa jugore përgjatë kufirit libanezo-izraelit, ndërsa Hezbollahu do të tërhiqet drejt veriut, përtej lumit të Litanit.

Sipas planit, ushtria libaneze, e cila nuk është e përfshirë në luftimet ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, do të dislokohet për të vëzhguar rajonin kufitar. Shtetet e Bashkuara dhe Franca do të mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjes.

Në orët e para të saj, marrëveshja po respektohej nga palët, ndërkohë që kolona të gjata të zhvendosurish libanezë u nisën drejt shtëpive të tyre në pjesën jugore të Libanit, pavarësisht paralajmërimeve për të mos nxituar të kthehen në disa pjesë të këtij rajoni të dëmtuar rëndë nga bombardimet izraelite ndërsa forcat izraelite ende po tërhiqeshin.

Në Izrael, banorët e zonave kufitare që u goditën nga raketat e Hezbollahut, e mirëpritën marrëveshjen megjithëse mund t’u duhen muaj që të kthehen në shtëpitë e tyre për shkak të dëmeve që kanë përjetuar vendbanimet e tyre.

/rtsh.al/