RTSH 24 Live

Lindja e Mesme

Hyn në fuqi marrëveshja e armëpushimit Izrael-Hezbollah

27/11/2024

Hyn në fuqi marrëveshja e armëpushimit Izrael-Hezbollah

Marrëveshja e armëpushimit e njoftuar nga presidenti amerikan Joe Biden, pas miratimit të qeverive libaneze dhe izraelite hyri në fuqi të mërkurën.

Më parë duke njoftuar se armëpushimi do të hyjë në fuqi në orën 04:00 me kohën lokale, Biden pati thënë se Forcat e Armatosura Libaneze do të vendosen në kufirin jugor të Libanit brenda 60 ditëve dhe do të sigurojnë kontrollin e rajonit në fjalë.

Më tutje duke vënë në dukje se marrëveshja parashikon çarmatimin e elementëve të Hezbollahut nga rajoni në fjalë dhe kalimin e tyre në veri të lumit Litani, Biden tha se ushtarët izraelitë do të tërhiqen gradualisht nga rajoni brenda një periudhe 60-ditore.

Ai theksoi se gjatë kësaj periudhe asnjë ushtar amerikan nuk do të shërbejë në Liban, duke shtuar se marrëveshja është arritur pas përpjekjeve të gjata diplomatike nën udhëheqjen e SHBA-së dhe Francës.

Presidenti amerikan theksoi se një koalicion ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-ja dhe Franca do të mbështesë zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit.

Biden deklaroi se libanezët që u zhvendosën për shkak të sulmeve izraelite dhe kolonëve hebrenj në veri të Izraelit do t’u mundësohet të kthehen në shtëpitë e tyre.

Sipas pretendimeve që ishin pasqyruar nëpër media para njoftimit të hyrjes në fuqi të armëpushimit, në rajonin që përfshin kufirin Izrael-Liban e deri te lumi Litani prej ku janë tërhequr ushtria izraelite dhe Hezbollahu do të vendosen 5 deri 10 mijë ushtarë libanezë.

Në përputhje me rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, shitjet e armëve në Liban ose prodhimi i armëve brenda Libanit do të mbikëqyren nga qeveria libaneze me qëllim që të parandalohet riarmatimi i këtyre grupeve në Liban.


/ rtsh.al /