Kryeqyteti i Koresë së Jugut është mbuluar nga ajo që agjencia e motit e cilësoi si bora më e madhe e nëntorit, që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave më 1907.
Administrata Meteorologjike e Koresë tha se 16.5 centimetra borë ranë deri në orën shtatë të mëngjesit, në krahasim me rekordin e mëparshëm prej 12,4 centimetrash më 28 nëntor 1972.
Stuhia e dëborës shkaktoi bllokime trafiku, ndërprerje të energjisë elektrike dhe anulim të të paktën 220 fluturimeve në aeroporte në pjesë të ndryshme të vendit, ndërsa autoritetet urdhëruan rreth 90 tragete të qëndronin në porte.
Presidenti Yoon Suk Yeol urdhëroi Ministrinë e Sigurisë dhe Ministrinë e Transportit që ta mobilizojnë tërë personelin përkatës në dispozicion për të parandaluar aksidentet në trafik dhe incidente të tjera.
Bora mbuloi një pjesë të madhe të vendit. Në rajonet qendrore, lindore dhe jugperëndimore u regjistruan reshje prej 10 deri në 23 centimetra. Agjencia e motit tha se reshjet e borës do të vazhdojnë në shumicën e pjesëve të vendit edhe në 24 orët në vijim.