RTSH 24 Live

Ekonomi

Miratohet projektligji, rezortet me 4–5 yje përjashtohen nga tatimi për 10 vite

6 orë para

Miratohet projektligji, rezortet me 4–5 yje përjashtohen nga tatimi për 10 vite

Në seancën plenare të ditës së enjte u votuan disa projektligje të hedhura për diskutim.

Votimi nisi pak pas mesnate, kur u miratua zgjatja e afatit të përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze me 4 dhe 5 yje, si dhe shtyrja deri më 31 dhjetor 2026 e afatit për aplikimin për investime strategjike.

Ndërsa deputetët e mazhorancës zunë vendet, karriget e opozitës vijuan të mbeten bosh, me përjashtim të deputetit demokrat Bujar Leskaj, i cili për dy projektligje e bashkoi votën me socialistët.

Në seancë mori votën e shumicës së deputetëve edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu”.

U miratuan gjithashtu edhe projektligji për disa shtesa dhe ndryshime për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë, projektligji për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore.

Kuvendi miratoi edhe ndryshimet e parashikuara në aktin normativ të qeverisë, që i hap rrugë bonusit të pranverës për pensionistët. Bonusi do të shpërndahet për pensionistët në muajin shkurt.

Kërkesa e PD-së për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj u rrëzua. Po ashtu u rrëzua edhe kërkesa tjetër e PD-së për ngritjen e komisionit hetimor për miratimin e projektit “Marina & Jahtet e Durrësit” dhe ndërtimin e portit të ri në Porto Romano.

/RTSH/