Shkëmbimi i informacionit mbi zhvillimet e fundit në dogana, por edhe problematikat që bizneset hasin në zhvillimin e përditshëm të aktivitetit të tyre ishin në qendër të diskutimeve të përfaqësuesve të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe stafit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Aplikimi i çmimeve të referencës për importin e mallrave, rritja e ndërveprimit të sistemit të doganës me institucionet e tjera, zgjerimi i numrit të operatorëve që kryejnë deklarim të thjeshtëzuar, ishin disa nga çështjet për të cilat kërkohet përmirësim.
"Së pari, rasti i kontratave afatgjata. Mbi bazën e një kontrate, një tatimpagues importon mallra për një periudhë 1–2-vjeçare. Çmimet në bursë ndryshojnë. Do të sugjeronim që të nxirret një qëndrim i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave ose të shkruhet në një akt nënligjor që çdo tatimpagues ta ketë më të lehtë të bëjë referencë. Tatimpaguesi që importon mund ta ketë njëherë çmimin më të lartë se bursa, dhe atëherë merret për bazë vlera e faturës, por në një rast të caktuar çmimi në bursë ngrihet dhe atëherë bëhet referenca sipas bursës. Do të ishte mirë, sidomos për kontrata me subjekte të vendosura në Bashkimin Europian ose në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mund të prezumojmë që ka një formalitet të biznesit dhe nuk ka abuzime me çmimet e deklaruara në kontratë.
Së dyti, si mund ta përmirësojë Dogana komunikimin digjital?
Dhe së treti, biznesi nuk e sheh me iniciativë për të përdorur facilitetet që ofron administrata dhe Kodi Doganor në përgjithësi. P.sh. në të dhënat e faqes zyrtare të administratës doganore janë vetëm 16 subjekte që kanë statusin 'operator ekonomik i autorizuar', ndërkohë që mund të ketë qindra biznese që importojnë mallra e paraqiten në doganë dhe nuk e kanë marrë këtë status, që lehtëson procedurat në doganë, elementet e sigurisë," u shpreh Alketa Uruçi, kryetare e Komitetit të Taksave dhe Doganave.
Gjatë këtij takimi u prezantuan nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave risitë në proceset digjitale, që lehtësojnë dhe përshpejtojnë procedurat doganore nga zhdoganimi i mallrave të importit deri në kontrollin e produkteve ushqimore, si edhe projekte të reja në ndihmë të biznesit.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/