Pas miratimit të raportit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në takimin e Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Demokraci, që u mbajt sot në Paris, ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani.
Osmani ka theksuar se institucionet e vendit do të vazhdojnë të punojnë me aleatët drejt anëtarësimit në KiE.
“Edhe një hap. Pas miratimit të raportit në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Demokraci, tani anëtarësimi i Kosovës në KiE do të vazhdojë në Asamblenë Parlamentare.
Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë akses të drejtë në instrumentet e KiE përmes anëtarësimit të plotë të Kosovë”, ka shkruar Osmani në platformën X. Raporti në Komisionin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka kaluar me 31 vota për, 4 kundër e 1 abstenim.
/rtsh.al/