RTSH 24 Live

Aktualitet

Ministrja Koçiu: Shërbime të integruara dhe gjithëpërfshirëse socio-shëndetësore në banesë

3 orë para

Ministrja Koçiu: Shërbime të integruara dhe gjithëpërfshirëse socio-shëndetësore në banesë

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu mori sot pjesë në forumin kombëtar “Shërbime të Integruara Shëndetësore dhe Sociale më afër Fëmijëve dhe Familjeve”, organizuar në Lezhë.

Në këtë forum për prezantimin e vizionit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për shërbimet e integruara shëndetësore dhe sociale, modele inovative dhe eksperienca të vyera të këtyre shërbimeve, merrnin pjesë edhe kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu si dhe shefi i zyrës së UNICEF, Murat Sahin.

Ministrja Koçiu theksoi se “po punojmë çdo ditë për të transformuar shërbimet publike nga të fragmentarizuara në shërbime të integruara dhe gjithëpërfshirëse socio-shëndetësore, udhëhequr nga parimet e solidaritetit dhe qëndrueshmërisë”.

“Modeli universal i ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe sociale në banesë e vendos fëmijën dhe familjen në qendër, me qëllim që askush të mos mbetet pas. Mbrojtja dhe përkujdesja për shëndetin e fëmijëve dhe familjeve është themeli i politikave tona sociale dhe shëndetësore”, ka deklaruar Koçiu.

MSHMS synon të fuqizojë sistemin e  vizitave në shtëpi në kuadër të kujdesit shëndetësor parësor me një sistem referimi që mundëson lidhjen e fëmijëve dhe familjeve në risk, drejt shërbimeve të niveleve të ndryshme të sistemit shëndetësor, por dhe me sektorë të tjerë duke realizuar mbështetje nga një ekip multidisiplinor për fëmijët dhe familjet në nevojë.

/rtsh.al/