RTSH 24 Live

Aktualitet

Ministri Hoxha: Sundimi i ligjit, duhen mekanizma për kontroll më efikas të territorit

21/08/2024

Ministri Hoxha: Sundimi i ligjit, duhen mekanizma për kontroll më efikas të territorit
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha theksoi të mërkurën nevojën e gjetjes së mekanizmave të menjëhershëm për kontroll më të mirë e më efikas të territorit.

Hoxha, duke marrë shkas nga ngjarja në Malësinë e Madhe, ku pati të shtëna me armë zjarri ndaj uniformave blu gjatë një operacioni anti-kanabis u shpreh se të qarkullosh me armë zjarri në rrugë, qendra të banuara e kudo, për qëllime kriminale, siç ka ndodhur ditët e fundit apo edhe sot në Malësinë e Madhe, nuk është thjesht një këmbanë alarmi.

Rreth orës 10:00, në vendin e quajtur “Bjeshka e Parus”, shtetas ende të paidentifikuar kanë qëlluar në ajër, me armë zjarri, kur kanë parë shërbimet e Policisë të cilat po kryenin kontroll të territorit në njësinë administrative Shkrel, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

“Kjo këmbanë na vendos përballë një detyre të madhe: për të gjetur mekanizmat e menjëhershëm për kontroll më të mirë e më efikas të territorit, për tê siguruar informacionin e duhur, me qëllim parandalimin”, deklaroi ministri.

Sipas tij, po me kaq rëndësi është edhe ndryshimi  dhe reformimi i organizatës së Policisë, nga qendra në bazë, për tu kthyer në një shërbim model, “pasqyrë e shoqërisë tonë, model që mund ta ofrojnë vetëm drejtues profesionistë dhe me integritet, dhe një organizatë e mirë strukturuar dhe reaguese më se e shpejtë.”

Ai siguroi çdo punonjës policie për mbështetje për kryerjen e detyrës.

“Në detyrën e Ministrit të Brendshëm do të mbështes maksimalisht dhe pa asnjë hezitim të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, struktura që busull në punën e tyre kanë ligjin dhe vetëm ligjin, pavarësisht rrezikut dhe vështirësive, siç po përballet sot Policia e Shkodrës në luftën e saj kundër kultivimit të kanabisit apo Policia e Shtetit në përballjen e saj me krimin në çdo cep të vendit. Do të jem krah çdo punonjësi të ndershëm, për të dekurajuar krimin dhe forcuar sundimin e ligjit në territor.”, theksoi ministri Hoxha.

Sipas tij, qytetarët dhe Shqipëria turistike duan një Polici efikase në çdo moment, për të garantuar jetën dhe pronën, për të siguruar një ambient të sigurt shoqëror dhe respektim të të drejtave e lirive themelore të tyre.

/rtsh.al/