RTSH 24 Live

Aktualitet

Ministri Hoxha hedh poshtë akuzat e Bardhit për kryepolicin e Shkodrës, Sulaj paralajmëron padi penale

12/09/2024

Ministri Hoxha hedh poshtë akuzat e Bardhit për kryepolicin e Shkodrës, Sulaj paralajmëron padi penale

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ka  përgënjeshtruar akuzat e bëra nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gament Bardhi, në adresë të Drejtorit të Policisë Shkodër dhe Drejtorit të Gardës. Bardhi deklaroi se Drejtori i Policisë së Shkodrës “është emëruar nga bandat”.

Por ministrit Hoxha, i konsideroi gënjeshtra akuzat e deputetit të PD-së, Gazment Bardhi, për Drejtorin e Policisë së Qarkut Shkodër dhe sqaroi procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Gardës së Republikës.

“Në lidhje me dy gënjeshtrat që u paraqitën në mëngjes nga deputeti Gazment Bardhi. Gënjeshtra e parë ishte komunikimi nëpërmjet zotërisë “Mondi” në “EncroChat” me të ashtuquajturin zotin ministër. Po bëj parantezën e gënjeshtrës në mëngjes nga deputeti, i cili tani nuk është në sallë për ta dëgjuar të vërtetën. Minimumi, kur deputeti duhet të gënjejë të na thotë të paktën që, kam dëshirë të gënjejë dhe të vazhdojë.”, theksoi Hoxha.

Sipas tij, Edmond Sulaj dhe është një oficer në karrierë, që ka treguar aftësi dhe integritet gjatë gjithë karrierës.

“Ai ka 27 vite punë. Sulaj ka marrë detyrën më 2023. Sulaj u zgjodh sipas meritës me konkurs. Në encrochat i parashtrohet një bisedë që i përket vitit 2021 ndërsa Edmond Sulaj ka marrë detyrën e drejtorit të policisë së qarkut në 2023. Pra kjo gënjeshtër bie. Edhe një herë për ta rikujtuar deputetin, i cili akuzon drejtues dhe funksionar publik. Tani më dëgjo mua, merr raportin e EUROPOL-it të nxjerr, e ke të publikuar në faqen e internetit, i cili shpjegon se strukturat e zbatimit dhe agjencive ligjzbatuese të Holandës, Belgjikës dhe Francës kanë nisur një operacion në vitin 2021 dhe atje janë konsideruar si biseda me vlerë hetimore këto biseda të cilat nuk lidhen fare me aludimet që ngrini ju dhe ky raport është publik dhe që të informoheni për çdo gjë mbi këtë raport duke qenë se kam qenë dhe shefi i EUROPOL-it mund të më kontaktoni edhe pas seancës t’ju sqaroj procedurat sesi funksionojnë strukturat dhe bashkërendimi i tyre", theksoi Hoxha.

Sipas tij, edhe komandanti i Gardës së Republikës është përzgjedhur mbi frymën e ligjit, ku qëllimi kryesor ishte rregullimi i kohëzgjatjes së ruajtjes së personaliteteve dhe banesave, përmirësimi i të drejtës dhe kompensimit financiar për punonjësit dhe drejtuesit e Gardës.

"Qëllimi numër tre ishte hartimi i një procedure dhe përcaktimi i kushteve për kriteret për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës. Pra, këto kritere ndryshojnë komplet me kriteret e janarit 2021. Unë nuk e kam idenë e parashikimeve që keni bërë ju dhe nuk keni pse të shqetësoheni në largpamësinë tuaj për përzgjedhjen e profilit, duke e gjetur ju fituesin para se ai të konkurronte. Pra, ju keni gjetur edhe fituesin para se të konkurronte.", tha Hoxha. 

Sulaj: Shpifje për të cilën do ti drejtohem gjykatës

Edhe Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj ka reaguar pas akuzave që Gazment Bardhi bëri në Kuvend, duke thënë se “ai është emëruar në atë pozicion nga eksponentë kriminalë”.

Sula deklaroi se kjo është një shpifje që synon të cënojë figurën e tij. Ai, thekson se është emëruar në këtë detyrë 3 vite pas periudhës së cilës i referohet Bardhi.

“Lidhur me disa deklarime të bëra nga një përfaqësues i një subjekti politik në seancën plenare të datës 12.09.2024 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për disa insinuata për emërimin tim Drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, unë ndiej përgjegjësinë morale dhe profesionale të sqaroj opinion publik se këto deklarata të bëra sot, janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë që të cenojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit. Sqaroj opinionin publik se unë Drejtuesi i Parë Edmond Reis SULAJ, jam emëruar në këtë pozicion sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 6108, datë 11.10.2023. Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite  më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi. Në vijim, informoj se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal.”, deklaroi Sulaj.

Braçe: Sulaj, një nga djemtë më të ndershëm të Policisë së Shtetit

Edhe deputeti Erjon Braçe i doli në mbrojtje drejorit të policisë Shkodër Edmond Sulaj, sipas të cilit, ai po merr kërcënime nga mëngjesi në mbrëmje për veten, familjen e tij dhe policëve në Shkodër, dhe se akuzat e Bradhit janë të qëllimshme.

“Një deputet i kuvendit u çua këtu, lexoi ca kode dhe e bën këtë vazhdimisht e vazhdimisht në emër të Prokurorisë. Duhej të ishte menduar pak më shumë për ato që i japin për të lexuar. Prej vitit 2021 thuajse ka humbur së ekzistuari apo së përdoruri referimi që ai bën. Mondi, drejtori i policisë së Shkodrës është emëruar në detyrë në tetor 2023. Mondi, ai që njoh unë, është një nga djemtë më të mirë dhe më të ndershëm që ka Policia e Shtetit dhe që nuk kapardiset në hotelet e luksit, po ha bashkë me policët në mensën e forcave të ndërhyrjes së shpejtë atje. Mondi është një nga zyrtarët e policisë së shtetit që ka vënë para përgjegjësisë çdokënd të përfshirë në ngjarjen e Peshkëpisë pas vitesh harrese, prishje provash, shkatërrimi i gjithë atij hetimi. Mondi ka qenë pas hetimit së atij ekstremistit grek me Dropull me automatik grek dhe pas shumë ngjarjeve hetimi me sukses dhe ka vënë para përgjegjësisë kriminelët. Mondi është ai që në Shkodër merr kërcënime nga mëngjesi në mbrëmje për veten, familjen e tij dhe policët atje. Politikanë që vijnë këtu e flasin në emër të prokurorit, në fakt duhet të flasin në emër të gjyqtarit, sepse kushtetuta kështu thotë, prezumohesh i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë. Pra flasin në emër të prokurorit, sepse marrin nga prokurori të dhëna dhe i keqpërdorin në kurriz të shërbyesve të shtetit.”, tha Braçe.

 /rtsh.al/

 

 

-