RTSH 24 Live

Kulturë

Minifestivali i Indisë më 2–3 tetor, çelet ekspozita ''Odiseja e arkitekturës së Indisë''

02/10/2024

Minifestivali i Indisë më 2–3 tetor, çelet ekspozita ''Odiseja e arkitekturës së Indisë''

Për herë të parë organizohet në Shqipëri "Minifestivali i Indisë", që do të shfaqë dy aspekte të kulturës indiane: kuzhinën e pasur dhe arkitekturën e vendit të lashtë dhe plot tradita.

Aktivitetet që do të mbahen në datat 2 dhe 3 tetor pritet që të jenë edhe pikënisja e shumë shkëmbimeve dhe investimeve midis vendeve. Java Kulturore Indiane synohet që të mbahet vitin e ardhshëm në Shqipëri. 

Më 3 tetor, Universiteti Politeknik i Tiranës do të presë ekspozitën ''Odiseja e arkitekturës së Indisë''.

Kjo ekspozitë, e kuruar nga CP Kukreja Foundation for Design Excellence në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, do të ofrojë një pamje gjithëpërfshirëse të arkitekturës së Indisë dhe evolucionin gjatë pesë dekadave të fundit.

Mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë dhe Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universiteti Politeknik i Tiranës, ekspozita do të adresojë edhe sfidat globale si ndryshimet klimatike apo urbanizimi i qëndrueshëm. Gjithashtu kjo ekspozitë do të shfaqë edhe projektet aktuale dhe të ardhshme që synojnë të krijojnë një "Indi të re" elastike, inovative dhe të qëndrueshme.

Pjesë e këtij aktiviteti, pritet që të jetë edhe Kryeministri Edi Rama; Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja; Konsulli i Përgjithshëm i Nderit i Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht arkitekt dhe urbanist me famë botërore, Dikshu C. Kukreja dhe shumë personalitete të tjera të fushës. 

Ekspozita synon të nxisë edhe shkëmbimet e ndryshme midis studentëve të Shqipërisë dhe Indisë.

/rtsh.al/