Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, mbajti fjalën e saj përshëndetëse në Senatin Francez në eventin “Apollonia e Ilirisë, 100 vite kërkime arkeologjike franko-shqiptare”, me pjesëmarrjen e zv/Presidentit të Senatit Pierre Ouzoulias.
Në fjalën e saj, Kumbaro përmendi historinë e krijimit dhe figurat më të shquara që çuan përpara këtë mision.
Gjatë fjalimit të saj, ministrja Kumbaro përmendi rolin e Shqipërisë si një pikëtakim kulturash mes lindjes dhe perëndimit, prej nga ka trashëguar shumë site të mbrojtura nga UNESCO, siç është edhe qyteti i Gjirokastrës, që francezët e kanë njohur përmes shkrimtarit Ismail Kadare, për të cilin Franca ishte shtëpia e tij e dytë.
“Shqipëria, një pikëtakim i kulturave po aq sa një urë lidhëse mes lindjes dhe perëndimit, mes Mesdheut dhe pjesës qëndrore të Ballkanit. Një vend ku në pak distancë mund të gjesh qytetet trashëgimi të UNESCO-s me arkitekturë otomane siç është për shembull Gjirokastra, vendlindja e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, dhe ma lejoni këtë mungesë modestie sepse është edhe vendi prej nga vij unë, por që Ismail Kadare e gjeti më pas shtëpinë e tij të dytë këtu në Francë dhe e përshkruante Gjirokastrën si “një qytet të pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë”. Botë që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës – dhe kjo ishte bota shqiptare e Gjirokastrës – të githa ligjet arkitekturore dhe urbanistike. Është ende aty. Një vend mikpritjeje. Është vendi i fëmijërisë së tij, ku shumë gjëra ishin të pabesueshme dhe shumë gjëra ishin si në ëndrra. Në fakt, këto janë realitetet që ju ftoj të vizitoni”, u shpreh Kumbaro.
Më tej, ministrja Kumbaro foli për zhvillimin turistik të Shqipërisë dhe përvojat origjinale që po joshin gjithnjë e më shumë vizitorë francezë në vendin tonë.
Në dhjetë muajt e këtij viti, më shumë se 200,000 francezë vizituan Shqipërinë, ose 75% më shumë se vitin e kaluar. Gjatë tetorit, drejtuesit e unionit francez “Les Entreprises du Voyage” mbajtën në Tiranë konvenën e tyre të radhës, si një destinacion me rritje të shpejtë për vizitorët francezë.
/rtsh.al/