RTSH 24 Live

Kulturë

Ushqimet tradicionale që tërheqin turistët, ekspertët e kuzhinës: Zgjedhin gatimet e gjyshes

24 orë para

Ushqimet tradicionale që tërheqin turistët, ekspertët e kuzhinës: Zgjedhin gatimet e gjyshes

 

Çfarë e bën gastronominë shqiptare unike në krahasim me atë të vendeve të tjera të Ballkanit, cilat janë disa nga gatimet tradicionale shqiptare që konsiderohen simbol i kuzhinës sonë dhe sa të  interesuar janë turistët për të provuar gatimet tradicionale shqiptare? Këtyre pyetjeve iu është dhënë përgjigje nga ekspertja e gastronomisë Mimoza Balla dhe shefi i kuzhinës Fundim Gjepali në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri”.

Balla ka deklaruar se është thjesht një mit që kuzhina shqiptare nuk është e pasur. Ajo shtoi se Shqipëria ka pasur dhe ka gatime të cilat janë unike në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit, duke përmendur këtu: peshkun në zonën e jugut, mishin e gicit në zonën e veriut, tavën e kosit të Elbasanit dhe lakrorin e Korçës.

“Është miti që kuzhina shqiptare nuk ka qenë shumë e pasur. Por unë kudo shkoj, që prezantoj kuzhinën shqiptare, u them se ne kemi jetuar dhe para pushtimit turk.

Nëse shkojmë në zonat e bregdetit gatuhet peshku, në veri zonat katolike gatuanin mishin e gicit, Shkodra Krapin.

Këto ingredientë ushqimorë kanë ekzistuar dhe para pushtimit turk. Por unë krenohem me tavën e kosit të Elbasanit që nuk e ka asnjë vend tjetër. Krenohem dhe me Krapin e Shkodrës që është tavë e jona. Korani është unik, ose lakrori i Korçës.

Ne kemi gatime, kemi pasur gatime. Vërtet pa zbukurime, por nuk ka më shije se të shkosh në Vlorë dhe të hash koc apo levrek. Në Llogara, mishi i qingjit në hell”, tha Balla.

Në një lidhje Skype nga Italia, Gjepali deklaroi se turistët e huaj kërkojnë identitetin shqiptar. Ai u shpreh se turistët e huaj që vijnë në Shqipëri janë kuriozë për të provuar pjatat tradicionale të vendit, që sikurse theksoi ai, janë teje të dobishme për bizneset shqiptare.

“Të huajt kërkojnë kuzhinën e gjyshes, identitetin tonë. Ne vitet e fundit po kuptojmë rëndësinë e këtyre pjatave që dikur i konsideronim të varfra, por nga ana e kërkesës kemi zbuluar se janë shumë të dobishme për bizneset tona. Tava e dheut, byreku, pula me qull, pjatat tradicionale.

Kemi feedback shumë pozitiv nga të huajt. Unë besoj se çdo biznes nëse s’ka pjata tradicionale, sidomos në një vend që është bërë turistik, nuk do ketë kuriozitet nga konsumatori. Shqiptarët kanë nisur dhe pirjen e verës shqiptare.

Kam 3 realitete të ndryshme me bizneset, në Shijak bëj kuzhinën e familjes sime, produktet që prodhojmë vetë. Në Tiranë pjata tradicionale të rimodernizuara. Në Romë, pjatat ndërkombëtare dhe një pjesë e pjatave lokale romane”, deklaroi Gjepali.

/rtsh.al/