Astma është një sëmundje kronike që mund të prekë individë të të gjitha moshave mund të kontrollohet me trajtimin e duhur dhe kur nuk mund të kontrollohet, kufizon seriozisht aktivitetet e përditshme. Është një sëmundje që manifestohet me ngushtim të rrugëve të frymëmarrjes dhe vjen me sulme.
Studiuesit thonë se kanë gjetur trajtimin e parë të ri në 50 vjet, për sulmet e astmës. Injeksioni zbut një pjesë të sistemit imunitar që mund të kalojë në një mbingarkesë si në shpërthimet e astmës ashtu edhe në një gjendje të mushkërive të quajtur “sëmundje pulmonare obstruktive kronike”.
Pneumologu Rushan Muhameti, njëherësh nëndrejtor i Spitalit të Traumës, i ftuar në “Mirëmëngjesi Shqipëri” ka zbuluar disa prej faktorëve që ndikojnë në sëmundjen e astmës, simptomat e para dhe trajtimin e saj.
Muhameti u shpreh se vaksina e re përdoret për format e rënda të astmës dhe realizohet vetëm te pacientët të cilëve nuk u ka dhënë rezultat efektiviteti i preparateve farmaceutike.
“Me anë të vaksinës. Ka dalë aktualisht. Në trajtimin e ri, është për statusin astmatik në formën e rëndë. Bëhet fjalë për një preparat Benralizumab që është një antitrup monoklonal që vepron në qelizat euzonofile.
një dozë e vetme ka rezultuar më shumë efektive se përdorimi i shumë dozave të larta të kortizonikëve.
Në botë përdoren dhe radiofrekuenca. E kam asistuar në Amerikë, është për largimin plotësisht të astmës. Kjo gjë realizohet me bronkoskopi, aparaturë fleksibël që futet në pulmon dhe ka dhe pjesën e radiofrekuencës e cila djeg me lobe bronket distale të cilat nuk bëjnë më bronkospazëm.
Këto procedura realizohen vetëm te pacientët që efektivitetin e preparative farmaceutike nuk u ka dhënë rezultat”, u shpreh pneumologu.
Muhameti theksoi se faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundje kronike, janë nga më të ndryshmit, si nga faktorët personalë, genetikë, deri te faktorët e jashtëm dhe ata profesionalë.
Pneumologu e lidhi drejtpërdrejtë astmën me alergjitë.
“Astma është një sëmundje heterogjene që prek sistemin e rrugëve të frymëmarrjes me inflamacion të tyre. Astma është sëmundje vërtetë shqetësuese. Faktorët janë nga më të ndryshmit: personal (faktori gjenetik; atopia; hipersensibiliteti bronkial; raca dhe gjinia.
Në faktorët e jashtëm janë ndotësit e ambientit që janë brenda shtëpiss dhe jashtë saj (pluhurat që na rrethojnë), duhani. Paralelisht janë faktorët profesionalë; parfumet, saldatorët; parukeritë. Astma lidhet drejtpërdrejtë me alergjinë. Astma detyrimisht ka elementët e alergjisë. Bronkospazma shkaktohet nga alergenët e jashtëm plus faktori genetik", u shpreh më tej pneumologu Muhameti, i cili theksoi se trajtimi i astmës bëhet me preparate inhalatore, orale dhe intravenoze.
Muhameti renditi në fjalën e tij, edhe disa nga simptomat e parë të shfaqjes së astmës.
“Simptomat e para të astmës bronkiale janë: fishkëllimë, vështirësi në frymëmarrje, kolla, dhembja në kraharor, kur shoqërohet me bronkospazëm vështirësia është më e madhe në frymëmarrje.
Kur ka vështirësi të madhe në frymëmarrje bie dhe oksigjeni në gjak. Prandaj nuk duhet të kalojë fëmija në status astmatik. Astma fillon që në vitin e parë të jetës gati 3% e popullatës preket nga astma. Me kalimin e vitit të tretë bie në 0.9 dhe nga viti 15 bie në 0.1%.
Patjetër që në vitin e parë për shkak edhe të gripërave kemi dhe bronkospazëm dhe kujdesi duhet parë që në vitin e parë”, përfundoi ai.
/rtsh.al/