RTSH 24 Live

Aktualitet

GJKKO vendos që Fuad Verzivolli, anëtar i dyshuar i bandës së Suel Çelës në Elbasan, të mbetet në burg

16 orë para

GJKKO vendos që Fuad Verzivolli, anëtar i dyshuar i bandës së Suel Çelës në Elbasan, të mbetet në burg

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të lerë në burg Fuad Verzivollin, një personazh ky i njohur i grupit të dyshuar kriminal të Suel Çelës në Elbasan.  

Verzivolli është vënë në pranga nga policia, i cili, sipas raportimeve është arrestuar dy netë më parë në Shqipëri, pasi ishte në kërkim nga policia. GJKKO-ja vendosi sot ndaj tij masën e sigurimit “Arrest në burg”. Fuad Verzivolli dyshohet për tentativë vrasjeje me paramendim, si dhe përfshirje në organizatë kriminale. Ngjarja për të cilën ai akuzohet lidhet me një atentat në Elbasan më 8 qershor 2020.

Sipas GJKKO-së, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal e caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, vendosi: Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, e caktuar me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj personit nën hetim: Fuad Verzivolli si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit **** në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të organizatës kriminale “Organizata kriminale”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, thuhet në vendim.

Urdhërohet Policia Gjyqësore, që personi nën hetim Fuad Verzivolli, të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, për të qëndruar aty në dispozicion të organit procedues.

Sipas vendimit, urdhërohet edhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe policia gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi. Mbrojtësi i caktuar kryesisht nga gjykata për personin nën hetim të shpërblehet nga shteti sipas tarifave të parashikuara në ligj.

Kundër këtij vendimi, Fuad Verzivolli mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.

/rtsh.al/