RTSH 24 Live

Botë

Meloni takon Trump në Floridë para inaugurimit të presidentit amerikan

05/01/2025

Meloni takon Trump në Floridë para inaugurimit të presidentit amerikan

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni (l. Xhorxha) ka udhëtuar në shtetin e Floridës për të takuar presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump (l. Tramp) me synimin për të forcuar lidhjet përpara inaugurimit të tij më 20 janar.

Sipas raportimeve mediatike, Meloni u prit me duartrokitje në rezortin e presidentit amerikan në Mar-a-Lago, ndërsa republikani e prezantoi kryeministren italiane si një grua fantastike.

"Mbrëmje e bukur. E falënderoj për mikpritjen. Jemi gati të punojmë së bashku," reagoi Meloni në rrjetet sociale.

Takimi me Trump u zhvillua vetëm disa ditë përpara se Meloni të presë në Romë presidentin në largim të SHBA-së, Joe Biden, në vizitën e tij të fundit më 11 janar.

78-vjeçari, i cili mundi presidentin Bajden në zgjedhjet e nëntorit, po përgatitet për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.

Ende nuk janë publikuar detaje të bisedimeve mes dy liderëve konservatorë, por zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini tha të dielën se ata diskutuan për një sërë çështjesh, përfshirë gjendjen e Cecilia Sala (l. Çeçilia), gazetares italiane që u arrestua muajin e kaluar në Iran.

Meloni shihet si një partnere e fortë për presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, duke pasur parasysh qëndrueshmërinë e koalicionit të djathtë në Itali, që ajo e drejton nga fundi i vitit 2022.

Meloni gjithashtu ka një marrëdhënie të ngushtë me miliarderin e teknologjisë dhe aleatin e ngushtë të Trump, Elon Musk (l. Mask).

Tommaso Foti, ministri italian për çështjeve e BE-së, tha të dielën se takimi i Melonit me Trump tregoi se Italia mund të veprojë si një urë diplomatike midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Meloni është mes liderëve botërorë, përfshirë kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau (l. Xhastin Trudo) dhe kryeministrin hungarez Viktor Orban, që janë takuar me Trump para se ai të marrë zyrtarisht detyrën në Shtëpinë e Bardhë.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/