RTSH 24 Live

Botë

Melania Tramp mbështet të drejtat e grave për abortin, ish-presidenti do t'i limitojë

03/10/2024

Melania Tramp mbështet të drejtat e grave për abortin, ish-presidenti do t'i limitojë

Teksa Shtetet e Bashkuara shkojnë në zgjedhje presidenciale pas një muaji, ish-Zonja e Parë, Melania Tramp (o. Trump), ka dalë kundër bashkëshortit dhe kandidatit republikan, Donald Tramp, për sa i përket çështjes së abortit.

Në librin e saj memuaristik, që pritet të botohet pas zgjedhjeve, znj. Tramp tha se "nuk ka vend për kompromis" kur bëhet fjalë për "lirinë individuale" të gruas. Qëndrimin e saj ajo e bëri të ditur përmes një videoje të postuar në rrjetin social "X" pak orë pasi britanikja "The Guardian" publikoi pjesë nga libri i saj ku ajo shkruan se mbështet të drejtën për abort "pa ndërhyrje apo trysni nga qeveria".

"Liria individuale është një parim themelor që unë e mbroj. Pa dyshim që nuk ka vend për kompromis kur bëhet fjalë për një të drejtë themelore, të cilën të gjitha gratë e zotërojnë që nga lindja, lirinë individuale. Çfarë do të thotë realisht trupi im, zgjedhja ime?" u shpreh Zonja e Parë në video.

Ish-presidenti Tramp është shprehur krenar për faktin që ai ndihmoi të shfuqizohej ligji Roe vs. Wade, i cili hoqi të drejtë kushtetuese për të pasur abortin dhe bëri që shtete të caktuara të kufizojnë procedurën e kundërshtuar nga konservatorët. Tramp ka thënë se ai nuk do e votonte ndalimin e abortit në nivel federal, duke e lënë çështjen në dorë të vetë shteteve amerikane.

Në librin e znj. Tramp shkruhen edhe detaje personale nga jeta e hershme e ish-modeles dhe marrëdhënia e saj me biznesmenin Tramp, bashkëshortin e saj aktual dhe kandidatin e republikanëve për president. /CNN

/rtsh.al/