RTSH 24 Live

Paris 2024

Medaljet olimpike, Veliaj: Nga një apartament si shpërblim për tre mundësit, thyem tabunë

11/08/2024

Medaljet olimpike, Veliaj: Nga një apartament si shpërblim për tre mundësit, thyem tabunë

Bashkia e Tiranës do të shpërblejë tri mundësit shqiptarë, me origjinë ruse, me nga një apartament secili për arritjet e tyre në Lojërat Olimpike në Paris 2024.

"Ne kemi pasur disa diskutime me Zelimkhan [Abakarov], me Islam [Dudaev] dhe me Chermen [Valiev] që ata të jenë jo vetëm rezidentë të Tiranës për çështjet sportive, por edhe rezidentë fizikë në Tiranë. Kështu që ne do u japim si shpërblim tri apartamente për secilin prej tyre, që t'u krijojmë kushtet në mënyrë që Tirana të mos jetë vetëm vendgrumbullimi dhe i stërvitjes, por të jetë edhe vendi ku jetojnë me familjet e tyre, ku janë të dedikuar me kohë të plotë për këtë punë," tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Kryetari Veliaj foli për RTSH 24 ndërkohë që Dudaevi ndodhej në podium për medaljen e bronztë olimpike në peshën 65 kg, të siguruar vetëm pak minuta më parë kundër sfiduesit hungarez Iszmail Muszukajev.

Të shtunën edhe mundësi tjetër shqiptar, Valievi, shkroi historinë me një medalje në peshë 74 kg. 

"Datat 10–11 gusht do të hyjnë në historinë e sportit shqiptar se thyen një tabu pas 112 viteve shtete. Kemi hapur një rrugë dhe një kapitull të ri për shumë djem dhe vajza që duan të angazhohen me sport dhe duan të ngrenë flamurin e Shqipërisë, i cili u ngrit dy herë brenda kësaj fundjave.

Fare mirë mund të ishin medalje ari, por ne nuk do bëjmë qaramanin. Në të gjitha peshat janë 16 më të mirët e botës. Nga kjo 16-tëshe ne dolëm në tre të parët.

Ne kemi pasur bashkëpunim të jashtëzakonshëm me qeverinë. Kryeministri për herë të parë ka sjellë disa politika që shpërblejnë sportistin jo vetëm me para në dorë, por edhe me funksione protokollare në ushtri, ndaj politikat e qytetit, shtetit, të hapur ndaj këtij bashkëpunimi, sollën dy medaljet e para," u shpreh z. Veliaj.

/rtsh.al/