RTSH 24 Live

Sociale

Me gojën mbyllur me shirit të zi, gazetarët protestë para Kryeministrisë: S’na përjashtoni dot të gjithëve

04/07/2022

Me gojën mbyllur me shirit të zi, gazetarët protestë para Kryeministrisë: S’na përjashtoni dot të gjithëve
Gazetarët në protestë

Ashtu siç ishte paralajmëruar gazetarët kanë protestuar para Kryeministrisë, pas konfliktit që kryeministri Edi Rama pati me një gazetar gjatë një konference të tij për shtyp dhe e përjashtoi atë për 3 muaj nga takimet e tij.

Kjo situatë u pasua me kritika të shumta, ndërsa sot gazetarët kanë protestuar me pankarta në duar dhe me gojë të mbyllur me shirit të zi.

Gazetarët përçuan mesazhet se pyetjet e tyre meritojnë përgjigje nga ministrat dhe se pyetjet nuk mund të parashtrohen nga zyrtarët.

"Nuk na përjashton dot të gjithëve"! "ZKM çfarë pyetje t'ju bëj nesër?", "Liria s'është krim, vjedhja po", "Më mirë riedukim se sa gojën mbyllur", "Po ministrat e tu kur do përgjigjen?", ishin disa nga pankartat e gazetarëve në protestë.

Për ngjarjen reagoi me herët edhe kryeministri Edi Rama duke thënë se nuk do të legjitimohet kurrë shkelja e etikës dhe shpifja në praninë e tij.

Rama pati një përplasje me gazetarin Klevin Muka gjatë një konference për shtyp, të cilin e futi në “riedukim për 3 muaj” , pasi ky i fundit pyeti ministren Olta Xhacka nëse kishte zbatuar kodin e etikës në raport me bashkëshortin investitor strategjik.

/rtsh.al/