RTSH 24 Live

Botë

Nis faza e dytë e zgjedhjeve kombëtare në Indi, kryeministri Modi në krye

26/04/2024

Nis faza e dytë e zgjedhjeve kombëtare në Indi, kryeministri Modi në krye

India filloi të premten fazën e dytë të zgjedhjeve parlamentare në 13 shtete të vendit, garë e cila nisi më 19 prill dhe do të përfundojë më 1 qershor.

Miliona votues nga rreth 1 miliard individë me të drejtë vote - 500 milionë votues meshkuj dhe gati 470 milionë votuese femra - u paraqitën që në orën 7 të mëngjesit në qendrat e votimit për të përcaktuar 543 anëtarët e Lok Sabasë, dhomës së ulët të parlamentit indian. Në këtë raund nga gjashtë gjithsej, të drejtën e votimit mund ta ushtrojnë 160 milionë persona.

Fokusi këtë të premte do të jenë shtetet jugore të Karnatakës dhe Keralës. Karnataka është nga bastionet e partisë së z. Modi, por shteti kaloi nga opozita në zgjedhjet për kuvendet.

Gara po zhvillohet e fortë mes partisë së kryeministrit  nacionalist Narendra Modi dhe aleancës opozitare INDIA, e prirë nga Kongresi Kombëtar dhe partitë e fuqishme rajonale.

Sondazhet deri tani kanë parashikuar kryeqeveritarin Modi si fitues për një mandat të tretë.

India përdor makinat elektronike të votimit që prej vitit 2000. Opozita ka kërkuar verifikim të raportimit të votave që dalin më tej në letër për ta bërë numërimin më transparent. Gjykata e Lartë e ka refuzuar ndryshimin e procesit të votimit në mes të garës, ndërsa ka hedhur poshtë edhe mundësinë e rikthimit te votimi me letër.

Në vitin 2019, pjesëmarrja në zgjedhje ishte në nivelin 67.11%, më e larta në historinë e zgjedhjeve parlamentare. Pjesëmarrja pritet të rritet përgjatë pesë raundeve.

Hindutë përbëjnë 80% të popullsisë indiane prej 1,4 miliardë banorë, myslimanët rreth 14% dhe të krishterët me sikët, 2% secili. /DW

/rtsh.al/