RTSH 24 Live

Botë

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit, studentët ngrenë kampin pro-palestinez në Bolonja

06/05/2024

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit, studentët ngrenë kampin pro-palestinez në Bolonja

Rreth 100 studentë kanë ngritur rreth 30 tenda në Piazza Scaravilli pro Palestinës në Universitetin e Bolonjës.

Sipas policisë italiane, organizatorët e protestës kanë planifikuar një sërë aktivitetesh dhe ngjarjesh, duke përfshirë një fjalim më 8 maj nga Patrick Zaki, një student dhe studiues egjiptian i lidhur me universitetin, i cili bëri bujë ndërkombëtare kur u ndalua në Kajro për më shumë se një vit për shkak të kërkimit të tij.

Përveç kampingut, studentët kanë bërë thirrje edhe për një marshim mbarëkombëtar pro-palestinez më 15 maj.

“Ne kemi punuar për muaj të tërë, duke u ndërlidhur me Universitetin e Bolonjës dhe qeverisjen e tij, për të kërkuar ndërprerjen e marrëveshjeve kërkimore me universitetet dhe kompanitë izraelite bashkëfajtore në gjenocid, dhe me kompanitë italiane që mbështesin në mënyrë aktive Izraelin në spastrimin e tij etnik. Ne dërgojmë një apel edhe më të gjerë: i kërkojmë qeverisë italiane dhe institucioneve të botës perëndimore që të ndërpresin menjëherë bashkëpunimin e tyre të turpshëm dhe kriminal me krimet e qeverisë izraelite në Palestinë”, thuhet në deklaratën e grupi i të rinjve Palestinez në Itali, i cili organizoi kampin përmes mediave sociale.

Universiteti i Bolonjës është një universitet kërkimor publik i themeluar në vitin 1088 dhe është universiteti më i vjetër në funksionim të vazhdueshëm në botë, sipas faqes së tij të internetit.

/rtsh.al/