RTSH 24 Live

Botë

Hamasi pranon propozimin për armëpushim, Izraeli refuzon: S’është marrëveshja që ramë dakord

06/05/2024

Hamasi pranon propozimin për armëpushim, Izraeli refuzon: S’është marrëveshja që ramë dakord

Teksa u duk sikur luftës 7 mujore mes Izraelit dhe Hamasit do i vinte fundit, duket se palët ende nuk kanë rënë dakord për armëpushim.

Pak orë më para Hamasi tha se ka pranuar propozimin e bërë nga Egjipti dhe Katari për armëpushim, marrëveshje e cila duket se nuk pranohet nga Izraeli.  Një zyrtar izraelit tha se nuk ishte rënë dakord për armëpushim në Gaza, pasi sipas tij Hamasi kishte pranuar një version të "zbutur" që përfshinte përfundime të cilat Izraeli nuk mund t'i pranonte.

"Kjo do të duket të jetë një mashtrim që synon ta bëjë Izraelin të duket si pala që refuzon një marrëveshjen për armëpushim," tha zyrtari izraelit, i cili foli në kushte anonimiteti për Reuters.

Më herët, Hamasi tha se kishte pranuar propozimin për armëpushim të bërë nga Egjipti dhe Katari, por pa dhënë detaje të tjera.

Njoftimi i Hamasit për një marrëveshje erdhi disa orë pasi Izraeli urdhëroi evakuimin e Rafahut , qyteti në skajin jugor të Gazës që ka shërbyer si streha e fundit për rreth gjysmën e 2.3 milionë banorëve të Gazës.

/rtsh.al/