RTSH 24 Live

Politikë

Futi gazetarin në ‘riedukim’, nesër protestë para Kryeministrisë! Rama: Në praninë time s’ka për t’u legjitimuar liria e shkeljes së etikës

03/07/2022

Futi gazetarin në ‘riedukim’, nesër protestë para Kryeministrisë! Rama: Në praninë time s’ka për t’u legjitimuar liria e shkeljes së etikës

Përplasja që kryeministri Edi Rama pati me gazetarin Klevin Muka gjatë një konference për shtyp, të cilin e futi në “riedukim për 3 muaj” u kritikua gjerësisht në media dhe rrjetet sociale. Për këtë situatë gazetarët kanë paralajmëruar një protestë ditën e nesërme në orën 19.00 para Kryeministrisë.

Për ngjarjen ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili bën të qartë se në prani të tij nuk do të legjitimohet kurrë shkelja e etikës dhe shpifja. Rama shkruan se në epokën e rrjeteve sociale shpifja ka marrë përmasa katastrofike, megjithëse thekson se gjatë qeverisjes së tij asnjë gazetari e asnjë media “nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë”.

Kryeministri thekson se asnjë gazetar nuk do të jetë i mirëseardhur në konferencat e tij nëse në mënyrë të përsëritur shkel etikën.

“E përshëndes si shprehje lirie sulmin e disave, që në emër të lirisë së medias kërkojnë legjitimim për lirinë e shkeljes së normave etike deri brenda konferencave të mia për shtyp, sepse jashtë tyre tanimë kjo liri është e legjitimuar plotësisht! Por kërkesa s'mund të plotësohet. Jemi tërhequr nga përpjekja për ta normuar ligjërisht lirinë e shpifjes dhe të fyerjes, që në epokën e rrjeteve sociale ka marrë përmasa katastrofike! Nuk e kemi bërë as nga frika, as nga presionet po si reagim konstruktiv ndaj kërkesës së komunitetit mediatik për vetërregullim.

Ku është vetërregullimi? Nejse, do ta presim pa shpresë se do vijë! Por ndërkohë nuk ka për të ndodhur që të legjitimohet liria e shkeljes së normave etike sy më sy në praninë time. E kam ndryshuar ka kohë qasjen time, jo se janë zhdukur kazanët po se kam reaguar ndaj kritikave. Por ja që asgjë s'ka ndryshuar nga ana tjetër, përkundrazi, megjithëse asnjë gazetari e asnjë medieje nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë nga kjo qeveri dhe megjithëse disponimi ndaj pyetjeve e kërkesave për informacion ka qenë maksimal, janë shtuar shpifjet e është ulur rankimi!

Si përfundim: Shpifni, gënjeni, sajoni, shkruajeni e fliteni shqipen keq sa të doni, sepse askush nuk do t'ju thotë "plaç", po mos prisni që dhe kur vini për të pyetur mua të ushtroni publikisht në mënyrë të përsëritur lirinë e shkeljes së etikës dhe përsëri të jeni të mirëseardhur!”, shkruan Rama

/rtsh.al/