RTSH 24 Live

Kosovë

Mbretëria e Bashkuar i paralajmëron qytetarët e saj të mos shkojnë në veri të Kosovës: Tensionet janë shtuar!

05/09/2024

Mbretëria e Bashkuar i paralajmëron qytetarët e saj të mos shkojnë në veri të Kosovës: Tensionet janë shtuar!

Mbretëria e Bashkuar i paralajmëron qytetarët e saj të mos shkojnë në veri të Kosovës: Tensionet janë shtuar, shmangni zonën e urës së Ibrit!
    
Mbretëria e Bashkuar i ka këshilluar qytetarët e saj që të mos udhëtojnë në veri të Kosovës, përveç nëse e kanë të domosdoshme.

Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar (FCDO) e ka futur veriun e Kosovës në pjesën tjetër të listës së vendeve dhe destinacioneve ku nuk rekomandon të udhëtohet nëse nuk është e domosdoshme. 

“Kjo për shkak të incidenteve të dhunshme dhe tensioneve të shtuara në këto zona”, bëhet e ditur në paralajmërimin e publikuar në web-faqen e qeverisë britanike. 

Në një seksion të veçantë, FCDO u jep këshilla britanikëve për sigurinë në pjesë të Kosovës.

“Që nga dhjetori 2022 ka pasur përplasje të dhunshme dhe incidente me granata dhe shpërthime automjetesh. Jini të kujdesshëm dhe shmangni tubimet publike, veçanërisht rreth zonës së Urës së Austerlitzit (Ura e Ibrit) që e ndan Mitrovicën veriore dhe jugore”, shkruhet në web-faqen e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Situata politike në Kosovë përshkruhet si “në përgjithësi stabile”, por në të njëjtën fjali Zyra e Jashtme britanike përmend se “ekziston rreziku i protestave në komunat veriore të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit dhe në zonat e Mitrovicës në veri të lumit Ibër” dhe se ato “kanë potencialin të bëhen të dhunshme”.

“Ju duhet t’i shmangni tubimet publike, mitingjet politike dhe protestat, kontrolloni mediat lokale, konsultohuni me recepsionet e hoteleve për këshilla, regjistrohuni për të marrë njoftime me email kur kjo këshillë përditësohet”, i këshillon FCDO britanikët.

Ata këshillohen edhe që t’i shmangin udhëtimet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas përmes pikave kufitare 1 dhe 31.

Më parë FCDO paralajmëroi britanikët të mos udhëtohet në vende si Rusia, Irani e të tjera, kryesisht për shkak të konflikteve politike dhe shqetësimeve për sigurinë.  

/ rtsh.al /