Ka përfunduar mbledhja e Grupit Parlamentar të PD-së, në fund të së cilës, kryetari i grupit, Gazment Bardhi u shpreh se kanë një platformë që synon forcimin e partisë. Në një deklaratë për mediat, i pyetur në lidhje me drejtimin e PD-së dhe nëse nënkryetarja Jorida Tabaku kishte pranuar propozimin për të marrë në dorë partinë, Bardhi përmendi detyrimet statutore duke thënë se ajo është funksionarja më lartë drejtuese. Megjithatë ai shtoi se është vetë Tabaku që duhet të japë një përgjigje nëse do ta pranojë apo jo propozimin.
“Ka një detyrim statutor. Në bazë të statutit është që funksionari më i lartë drejtues i PD për momentin është nënkryetarja e partisë, zonja Tabaku”, tha Bardhi.
I pyetur në lidhje me një rikthim mundshëm të ish-kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, Bardhi refuzoi të komentonte duke theksuar se nuk ka një qëndrim zyrtar të organeve të partisë dhe po ashtu as të individëve të përveçëm.
“Ka një qëndrim statutor. Diskutimet kanë qenë në vijim të zbatimit të detyrimeve statutore për të mos krijuar vakum gjatë kësaj periudhe në lidhje me veprimet e PD. Unë kam detyrën e drejtimit të Grupit Parlamentar. Sa i përket kandidimeve e rikthimeve, sa kohe nuk ka një qëndrim në lidhje me këtyë çështje as nga organeve e partisë as nga individë të përveçëm unë nuk mund të komentoj”, u shpreh ai.
Ai bëri thirrje që të ndalet “gjuha përçarëse”, duke theksuar se PD nuk mund të fuqizohet sa kohë ka konflikte brenda saj.
“E rëndësishme për PD është që të ndalet gjuha përçarëse që shkakton ndasi. Gjuha ‘unë njoh atë, ai nuk më njeh mua’ soli hartën rozë në zgjedhjet e 14 majit. Grupi Parlamentar është duke punuar për të gjetur një zgjidhje dhe secili më pas do të bëjë zgjedhjen e tij nëse do t’i bashkohet PD apo të vazhdojë me veprime të ndara që dëmtojnë partinë dhe nuk i bëjnë mirë Shqipërisë. Në konflikt me njëri-tjetrin nuk fuqizohet PD. Detyra jonë është të bëjmë një parti më të fortë, moderne që t’i përgjigjet kërkesave të shqiptarëve. Do kemi një platformë publike që konsiston në forcimin e PD. Unë nuk kam asnjë kompleks të ulem me cilindo. Mbledhja e Kryesisë është nesër, sot kemi një vendim të Grupit Parlamentar. Kam lënë takime konsultative me kryetarët e degëve të partisë”, deklaroi Bardhi.
Në përfundim të takimit, ata publikuan edhe një platformë me 5 pika, si propozim për ringritjen e partisë, duke kërkuar fillimisht hapjen e partisë dhe certifikimin e anëtarësisë aktuale, si hap të dytë fillimin e procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege dhe më pas procesin e zgjedhjes së kryetarit të partisë.
Platforma me 5 pika e grupit PD
- Ndasitë në mendime dhe qëndrime për çështje të ndryshme brenda Partisë Demokratike nuk duhet të shfokusojnë partinë nga misioni i saj për t’u bërë alternativë qeverisëse. Në këtë kuadër, është emergjente ndërprerja e menjëhershme e çdo sulmi, shpifje apo gjuhe urrejtje ndaj çdo anëtari të partisë apo cilido që mendon ndryshe.
- Riorganizimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë, me synim bashkimin e demokratëve, forcimin e partisë dhe ndërtimin e një partie moderne, gjithëpërfshirëse dhe që krijon besimin tek shumica e qytetarëve shqiptarë, duke angazhuar dhe afruar individë me reputacion dhe që i shërbejnë mbrojtjes së interesit publik.
- Krijimin e një grupi pune përbashkues për ndjekjen dhe realizimin e procesit të riorganizimit, sipas një plani të qartë, transparent dhe gjithëpërfshirës, që ndjek këto hapa:
- Hapi i parë: Hapja e partisë dhe certifikimi i anëtarsisë aktuale;
- Hapi i dytë: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege;
- Hapi i tretë : Procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë.
- Grupi i Punës që bën edhe drejtimin politik ngre grupe pune në nivel qarku për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe fuqizimin dhe organizimin e partisë pa asnjë paragjykim dhe duke shmnagur cdo rrethanë apo faktor ndarës.
- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk mbështet asnjë proces organizimi të nxituar, të njanshëm, që nxit përçarjen dhe thellon ndasitë brenda Partisë Demokratike. Procesi duhet të synojë vetëm forcimin dhe eleminimin e debateve destruktive brenda partisë. Për këtë qëllim, duhet të tentohet ndihma, mbështetja dhe konsultimi me Partitë Popullore Europiane dhe partitë simotra.
/rtsh.al/