Në varrezat e Moskës, të dielën ishin të shumtë mbështetësit e liderit opozitar Alexei Navalny, që u mblodhën me kurora me lule për ta kujtuar në përvjetorin e parë të vdekjes.
Navalny, kundërshtari kryesor i presidentit rus Vladimir Putin, u shpall "ekstremist" për punën me Fondacionin Antikorrupsion - që ai ngriti për të ekspozuar korrupsionin mes zyrtarëve - dhe u dënua me burgim në një institucion të vuajtjes në Arktik, ku edhe ndërroi jetë më 16 shkurt 2024.
Vdekja e 47-vjeçarit nuk është shpjeguar plotësisht nga autoritetet ruse, ndërsa zyrtarisht dihet se ndodhi kur ai po ecte në oborrin e burgut. Vetëm një muaj më vonë do të mbaheshin edhe zgjedhjet presidenciale në vend.
Edhe pas hekurave, Navalny vazhdoi të bëjë thirrje që rusët të kundërshtojnë Kremlinin dhe të denoncojnë ofensivën ndaj Ukrainës.
"Mora vendimin për të mos pasur frikë," shkroi Navalny në autobiografinë që u botua pas vdekjes së tij.
Navalny u arrestua në vitin 2021, pasi ishte kthyer në Rusi prej trajtimit spitalor në Gjermani, ku u kurua për helmimin me gazin neurotoksik Noviçok. Në dhjetor 2023 ai u transferua në qendrën e vuajtjes së dënimeve penale.
Opozitari i ndjerë fitoi emër me fjalimet në tubimet në Moskë në vitet 2011–2013. /AFP
/rtsh.al/